Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi të dielën se Irani do të hakmerret për vrasjen e Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei, 86 vjeç, i cili sipas mediave shtetërore iraniane humbi jetën gjatë sulmeve ajrore të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Në një deklaratë të lexuar në median shtetërore, Pezeshkian tha se Republika Islamike e konsideron “kërkimin e drejtësisë dhe hakmarrjen kundër autorëve dhe atyre që urdhëruan këtë krim historik si detyrë dhe të drejtë legjitime”, duke shtuar se Irani do të përdorë të gjitha kapacitetet për të përmbushur këtë përgjegjësi.
Sulmet u kryen të shtunën, më 28 shkurt, nga forcat amerikane dhe izraelite, në atë që përbën një përshkallëzim të fortë të tensioneve në rajon. Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se operacioni synonte t’i jepte fund një kërcënimi sigurie ndaj Shteteve të Bashkuara dhe t’u ofronte iranianëve një mundësi për të ndryshuar udhëheqjen e tyre.
Nga ana tjetër, Teherani i ka cilësuar sulmet si të paprovokuara dhe të paligjshme. Si kundërpërgjigje, Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit dhe të paktën shtatë vendeve të tjera në rajon, përfshirë shtete të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.
Zhvillimet e fundit kanë zhytur Lindjen e Mesme në një krizë të re sigurie, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për përmbajtje dhe shmangie të një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit./mxh
