Ushtria izraelite njoftoi të dielën se ka vrarë Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ali Khamenei, gjatë një sulmi ajror të synuar të kryer të shtunën, ndërsa përplasjet mes palëve kanë hyrë në ditën e dytë.
Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, gjenerali i brigadës Effie Defrin, tha se sulmi u realizua nga avionë luftarakë, të drejtuar nga inteligjenca ushtarake, duke e cilësuar Khamenein si “arkitektin e planit për shkatërrimin e Izraelit”.
Vdekja e liderit 86-vjeçar u konfirmua edhe nga mediat shtetërore iraniane. Sipas raportimeve, në sulmin e së shtunës në Teheran humbën jetën edhe vajza e tij, nipi, nusja dhe dhëndri.
Autoritetet izraelite deklaruan se të dielën u ndërmor një valë e gjerë sulmesh në qendër të Teheranit, me synimin për të marrë kontrollin ajror mbi kryeqytetin iranian. Operacioni konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e viteve të fundit dhe ka rritur frikën për destabilizim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme.
Ali Khamenei drejtoi Iranin për 36 vite, duke e konsoliduar vendin si një fuqi të fortë kundër Shteteve të Bashkuara dhe duke zgjeruar ndikimin iranian në rajon përmes aleatëve dhe forcave të lidhura me Teheranin.
Ekspertët vlerësojnë se, megjithëse eliminimi i Khameneit dhe figurave të tjera të larta përbën një goditje të rëndë për strukturën drejtuese të Iranit, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht fundi i regjimit klerikal apo i ndikimit të Gardës Revolucionare në vend.
Situata në rajon mbetet tejet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet që mund të çojnë në një përshkallëzim edhe më të gjerë të konfliktit./MXH
