Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha të dielën se një avion luftarak i Forcave Ajrore Mbretërore Typhoon rrëzoi një dron iranian që po shkonte drejt territorit të Katarit, ndërsa tensionet rajonale përshkallëzohen ndjeshëm pas sulmeve të mëdha të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Në një deklaratë, ministria tha se Typhoon, pjesë e Skuadronit të përbashkët të Typhoon-it Britani e Madhe-Katar, po kryente një patrullim ajror mbrojtës të dielën kur përdori një raketë ajër-ajër për të shkatërruar dronin.
Veprimi mbrojtës vjen në mes të një prej përshkallëzimeve më dramatike në Lindjen e Mesme në vite, pasi forcat amerikane dhe izraelite nisën sulme të koordinuara thellë në Iran të shtunën.
Irani po hakmerret me breshëri raketash dhe dronësh kundër territorit izraelit dhe bazave amerikane në të gjithë Gjirin Persik, duke përfshirë objektet në Bahrein, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar.
“Forcat tona të Armatosura po luajnë një rol jetësor për të mbrojtur popullin tonë, interesat tona dhe aleatët tanë”, tha Ministria Britanike e Mbrojtjes./mxh
