Gjermania nuk do të përfshihet në luftën me Iranin dhe nuk mbështet ndryshimin e regjimit në Teheran. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, gjatë një konference për shtyp.
Ai theksoi se qeveria gjermane nuk do të marrë pjesë në veprime ushtarake dhe nuk është e përfshirë në masa konkrete që synojnë rrëzimin e regjimit në Iran.
Ndërkohë, Wadephul bëri të ditur se Gjermania po vazhdon operacionet për evakuimin e qytetarëve të saj nga rajoni i Gjirit. Sipas tij, një fluturim i organizuar nga Ministria e Jashtme me më shumë se 250 persona në bord ka mbërritur i sigurt në Frankfurt, ndërsa dy fluturime të tjera të ngjashme pritet të realizohen gjatë ditës së sotme dhe nesër.
Ministri gjerman theksoi se autoritetet po organizojnë gjithashtu transport nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Muskatit për të ndihmuar qytetarët që kanë nevojë urgjente për asistencë.
Në të njëjtën konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Moldavisë, Mihai Popsoi, Wadephul foli edhe për tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Ai deklaroi se Spanja mund të mbështetet në solidaritetin e Bashkimit Evropian dhe të Gjermanisë përballë kërcënimeve për barriera të reja tregtare nga Uashingtoni.
Komentet vijnë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi vendosjen e një embargoje të plotë tregtare ndaj Spanjës, pasi Madridi refuzoi përdorimin e bazave të tij ushtarake nga SHBA për operacione të lidhura me sulmet ndaj Iranit./mxh