Selena Gomez ka ndarë detaje të sinqerta rreth jetës me çrregullimin bipolar dhe mënyrës si e përballon atë me mbështetjen e bashkëshortit të saj, producentit Benny Blanco.
E ftuar në episodin më të fundit të podcast-it të Blanco, “Friends Keep Secrets”, ku morën pjesë edhe reperi Lil Dicky dhe bashkëshortja e tij Kristin Batalucco, këngëtarja 33-vjeçare foli pa filtra për sfidat që ka kaluar ndër vite me shëndetin mendor.
Ajo e cilësoi diagnozën si tepër komplekse, duke treguar se rrugëtimi i saj ka përfshirë disa terapistë dhe katër qendra rehabilitimi. Sipas Gomez, procesi për të kuptuar dhe pranuar gjendjen e saj ka qenë i gjatë dhe i vështirë.
Nga ana tjetër, Blanco zbuloi se artistja ka përjetuar episode maniake që në fillim nuk janë kuptuar si të tilla. Ai theksoi se ka raste kur Selena e kupton çfarë ka ndodhur vetëm pasi episodi ka përfunduar, madje ndonjëherë nuk mban mend detaje nga ajo periudhë. “Është një situatë shumë delikate,” u shpreh ai.
Selena nënvizoi se nuk ndien turp për episodet maniake dhe se vetëdijesimi për to e ndihmon t’i dallojë më shpejt shenjat paralajmëruese. Ajo theksoi sa e rëndësishme është të kesh pranë një partner që kupton realitetin emocional dhe ofron mbështetje pa gjykim.
Sipas artistes, diagnoza e ka ndihmuar të kuptojë më mirë sjelljet e së kaluarës dhe t’i japë vetes më shumë liri. “Shpesh reagoja nga frika, nga dashuria apo nga pasioni – gjithçka ishte e paqëndrueshme. Ishte kaos,” u shpreh ajo.
Gomez e bëri publike diagnozën me çrregullim bipolar në vitin 2020, pas një periudhe të vështirë që përjetoi në 2018. Në intervista të ndryshme, ajo ka treguar se në ditët më sfiduese zgjedh të rrethohet vetëm nga një rreth i ngushtë njerëzish të besuar dhe përdor teknika të ndryshme, si ndryshimi i temperaturës, për të qetësuar veten gjatë momenteve të vështira./mxh
