Që prej mbylljes zyrtare të divorcit me Brad Pitt në dhjetor 2024, Angelina Jolie ka zgjedhur të qëndrojë larg çdo lidhjeje të re sentimentale. Sipas burimeve pranë aktores, ajo nuk ka nisur asnjë romancë dhe ka vendosur që energjinë e saj ta përqendrojë te familja dhe puna.
Të njëjtat burime theksojnë se periudha pas ndarjes ka qenë e dedikuar pothuajse tërësisht fëmijëve. “Angelina ka qenë shumë e angazhuar dhe prioriteti i saj absolut kanë qenë fëmijët. Ajo po e jeton këtë fazë si një nënë beqare që ka kaluar një proces të vështirë divorci,” bëhet e ditur.
Jolie dhe Pitt janë prindër të gjashtë fëmijëve: Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakëve Knox e Vivienne. Aktorja raportohet se po e shijon maksimalisht kohën me ta, duke u siguruar që ata të rriten në një ambient të qëndrueshëm dhe mbështetës.
Paralelisht, ajo ka vijuar të jetë aktive në kinematografi. Filmi i saj më i fundit, Couture, pati premierën botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto në shtatorin e kaluar. Në këtë produksion, Jolie luan rolin e një regjisoreje që përballet me një divorc dhe një sfidë serioze shëndetësore një personazh që vetë aktorja e ka përshkruar si shumë të afërt me përjetimet e saj personale.
Pas këtij projekti, ajo pritet të shfaqet në adaptimin filmik të romanit Njerëz të Ankthshëm, duke shënuar një tjetër hap në karrierën e saj. Për momentin, duket se jeta e Angelina Jolie po zhvillohet larg thashethemeve rozë, me vëmendjen të përqendruar te arti dhe familja./mxh
