Patrulla ajrore nga avionët F-16
Ndihma ushtarake që Greqia ka dërguar në Qipro konsiderohet shumë e rëndësishme nga autoritetet në Nikozia, pasi ka ndihmuar në mbulimin e boshllëqeve në mbrojtjen ajrore të ishullit.
Avionët luftarakë F‑16 Fighting Falcon të versionit Viper nga Greqia, kryejnë pothuajse çdo natë patrulla zbulimi në hapësirën ajrore të Qipros për të identifikuar çdo kërcënim të mundshëm.
Këto patrulla natën zhvillohen në rotacion me avionët luftarakë britanikë që operojnë nga baza ajrore në Akrotiri.
Çfarë është sistemi “Kentauros”
Sistemi anti-dron “Kentauros” është zhvilluar nga Hellenic Aerospace Industry dhe është projektuar për të zbuluar dhe neutralizuar dronët përmes mjeteve elektronike.
Ai identifikon mjetet ajrore pa pilot (UAV) dhe krijon një “mburojë” ndërhyrjesh elektronike që bllokojnë komunikimin dhe funksionimin e tyre, duke neutralizuar kërcënimin pa u zbuluar nga forcat armike.
Sistemi është testuar me sukses edhe gjatë operacioneve të Marinës Greke në Detin e Kuq kundër rebelëve Houthi.
Kujtojmë se një dron iranian i tipit Shahed-136 arriti të depërtojë në hapësirën ajrore të Qipros të hënën e kaluar (2 mars) dhe goditi bazën britanike në Akrotiri.
Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, në një fjalim, u bëri thirrje qytetarëve për qetësi, ndërsa theksoi se vendi i tij, i cili mban kryesinë e radhës së BE-së, nuk do të bëhet pjesë e luftës.
“Dua të jem i qartë, vendi ynë nuk merr pjesë në asnjë mënyrë dhe nuk ka ndërmend të jetë pjesë e asnjë operacioni ushtarak. Të gjitha shërbimet kompetente të Republikës janë në gatishmëri të plotë operacionale”, tha Nikos Christodoulides, president i Qipros.
Sulmi erdhi vetëm 24 orë pasi kryeministri britanik, Keir Starmer, konfirmoi se vendi i tij ka pranuar një kërkesë të SHBA-ve për të përdorur bazat britanike për sulme mbrojtëse kundër raketave iraniane.
Baza e Akrotirit, e vendosur në një pikë strategjike në jug të Limasolit, ka shërbyer historikisht si pikënisje për operacionet në Irak dhe Siri./kb