Prodhuesit ukrainas të dronëve interceptorë, të projektuar për të rrëzuar dronët armikë në ajër, thonë se kanë kapacitet për t’i eksportuar në sasi të mëdha, pasi kanë marrë interes dhe kërkesa nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të Lindjes së Mesme.
Kërkesa për këto sisteme është rritur në sfondin e tensioneve në rajon dhe sulmeve me dronë të lidhur me Iranin. Qindra dronë të bazuar në modelin iranian Shahed, që tashmë prodhohen edhe në Rusi, përdoren shpesh në sulmet ndaj Ukrainës dhe shumë prej tyre rrëzohen nga sistemet e mbrojtjes ajrore.
Ukraina ka përdorur një kombinim mjetesh për t’i neutralizuar këta dronë, përfshirë raketa perëndimore, avionë luftarakë, armë të montuara në kamionë dhe dronë interceptorë me kosto të ulët.
Tani, ndërsa Irani ka shtuar sulmet me dronë ndaj aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik dhe rajone të tjera, Kievi shpreson se përvoja e fituar gjatë katër viteve të luftës së plotë kundër Rusisë mund të shndërrohet në një avantazh për bashkëpunim ushtarak me partnerët ndërkombëtarë.
Dronët interceptorë konsiderohen një zgjidhje efikase dhe më pak e kushtueshme për të neutralizuar dronët armikë. Ndërsa raketat e mbrojtjes ajrore mund të kushtojnë miliona dollarë secila, këta dronë kushtojnë vetëm disa mijëra dollarë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, deklaroi se Ukraina është e gatshme të ofrojë ndihmë pas një kërkese nga Shtetet e Bashkuara dhe bëri të ditur se edhe disa vende të Lindjes së Mesme kanë shprehur interes për teknologjinë ukrainase.
Sipas burimeve të cituara nga Reuters, SHBA dhe Katari po zhvillojnë bisedime për të blerë dronë interceptorë të prodhuar në Ukrainë.
Një nga prodhuesit kryesorë, kompania SkyFall, tha se kapaciteti i saj i prodhimit tashmë e tejkalon mundësinë e blerjes nga Ukraina dhe se është gati të eksportojë. Përfaqësuesi i kompanisë, i identifikuar vetëm me nofkën “Ares”, tha se kompania ka marrë interes dhe kërkesa nga aleatë dhe vende të Lindjes së Mesme.
Sipas kompanisë, modeli interceptor P1-SUN ka rrëzuar më shumë se 1,500 dronë Shahed dhe rreth 1,000 dronë të tjerë vetëm në katër muajt e fundit.
SkyFall vlerëson se mund të prodhojë deri në 50 mijë dronë interceptorë në muaj dhe të eksportojë nga 5 mijë deri në 10 mijë pa ndikuar në nevojat e mbrojtjes së Ukrainës.
Kostoja e një droni të tillë për ushtrinë ukrainase është rreth 1 mijë dollarë, ndërsa një raketë e sistemit amerikan Patriot mund të kushtojë deri në 4 milionë dollarë. Nga ana tjetër, dronët Shahed-136 vlerësohet se kushtojnë nga 50 mijë deri në 100 mijë dollarë secili.
Megjithatë, sipas përfaqësuesve të industrisë, një nga sfidat kryesore për përdorimin e këtyre dronëve në Lindjen e Mesme mbetet mungesa e pilotëve të trajnuar. Ukraina është aktualisht vendi i vetëm që ka ekipe me përvojë luftarake në përdorimin e këtyre sistemeve.
Kompania SkyFall ka krijuar edhe një akademi për trajnimin e pilotëve të dronëve dhe është e gatshme të dërgojë instruktorë jashtë vendit nëse qeveria ukrainase lejon eksportin e këtyre sistemeve. Gjithashtu, kompania ka zhvilluar edhe teknologji për pilotim në distancë, që do të mundësonte kontrollimin e dronëve nga larg./mxh
