Irani do të vazhdojë të mbrojë veten nëse vazhdojnë sulmet nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Kështu deklaroi ambasadori iranian në Mbretërinë e Bashkuar, Seyed Ali Mousavi, në një intervistë për BBC.
Ai tha se politika e Teheranit mbetet mbrojtja e vendit, duke theksuar se çdo objekt apo bazë ushtarake që përdoret kundër Iranit mund të konsiderohet një objektiv i ligjshëm.
“Nëse agresioni nga ana amerikane dhe izraelite vazhdon, nuk ka dyshim se ne do të mbrojmë veten,” deklaroi Mousavi.
Deklarata vjen ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në javën e dytë. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë ndërmarrë sulme ndaj objektivave në Iran, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me sulme në disa vende të rajonit.
Në orët e fundit, disa shtete të Gjirit, përfshirë Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, janë goditur nga sulmet iraniane, ndërsa operacionet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kanë vijuar.
Megjithatë, ambasadori iranian tha se ekziston një gatishmëri nga ana e Iranit për të mos sulmuar vendet fqinje, duke shtuar se situata varet nga veprimet e SHBA-së dhe Izraelit.
Sipas tij, nëse bazat ushtarake në rajon përdoren për sulme ndaj Iranit, atëherë ato mund të bëhen objektiva të kundërpërgjigjes iraniane.
Gjatë ditëve të fundit, disa vende të rajonit janë përfshirë nga tensionet dhe sulmet, përfshirë Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Bahreinin, Omanin dhe Irakun. Gjithashtu është goditur edhe një bazë ushtarake britanike në Qipro.
Situata ka shkaktuar dëme të mëdha dhe tensione në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, ndërsa përpjekjet diplomatike për të ulur përshkallëzimin e konfliktit vijojnë./mxh
