Japonia ka bërë një hap të madh përpara në mjekësinë rigjeneruese, duke miratuar për herë të parë një terapi të bazuar në qeliza staminale për të trajtuar sëmundjen e Parkinsonit.
Qasja e re terapeutike përdor qeliza staminale pluripotente të induktuara (qelizat iPS), të cilat mund të transformohen në lloje të ndryshme qelizash. Në rastin e sëmundjes së Parkinsonit, këto qeliza diferencohen në neurone që prodhojnë dopaminë dhe transplantohen në trurin e pacientit, me qëllim zëvendësimin e atyre të shkatërruara nga sëmundja.
Sëmundja e Parkinsonit shkaktohet nga humbja progresive e qelizave nervore që prodhojnë dopaminë, një substancë jetësore për kontrollin e lëvizjes. Mungesa e saj çon në simptoma të tilla si ngurtësim dhe ngadalësim të lëvizjes, të cilat shpesh përkeqësohen me kalimin e kohës.
Shkencëtarët besojnë se kjo teknologji mund të ndryshojë mënyrën se si trajtohen disa sëmundje neurologjike, pasi nuk kufizohet vetëm në lehtësimin e simptomave, por synon të rikthejë vetë qelizat e dëmtuara.
Në të njëjtën kohë, autoriteti rregullator japonez miratoi një terapi tjetër qelizore që synon të forcojë perspektivën e përdorimit të teknikave rigjeneruese për të trajtuar sëmundje serioze.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se, pavarësisht pritjeve të larta, nevojiten kërkime të mëtejshme dhe më shumë të dhëna nga provat klinike për të vlerësuar plotësisht efektivitetin dhe sigurinë afatgjatë të këtyre trajtimeve.
Trajtimi për sëmundjen e Parkinsonit bazohet në transplantimin e qelizave nervore që prodhojnë dopaminë, substanca aktive që mungon në trurin e pacientëve dhe është përgjegjëse për shfaqjen e simptomave motorike të sëmundjes.
Zhvillimi i këtij trajtimi specifik u krye nga kompania farmaceutike Sumitomo Pharma, e cila mori miratimin për prodhimin dhe shpërndarjen e terapisë së re qelizore në tregun japonez./mxh
