Last Updated on 08/03/2026 by Anisa
Deputetja Jorida Tabaku ka uruar gratë dhe vajzat shqiptare me rastin e 8 Marsit, duke vlerësuar veçanërisht kontributin e grave sipërmarrëse, si dhe të nënave dhe edukatoreve që kujdesen për fëmijët me çrregullime të spektrit autik dhe sindromën Down.
Në mesazhin e saj, ajo theksoi se puna dhe përkushtimi i tyre përbëjnë një shembull të jashtëzakonshëm force, dashurie dhe sakrifice, duke u kthyer në një frymëzim për të gjithë shoqërinë.
Megjithatë, Tabaku nënvizoi se 8 Marsi nuk duhet të mbetet vetëm një ditë urimesh dhe lulesh, por duhet të shoqërohet me veprime konkrete në mbështetje të grave. Sipas saj, shumë gra në Shqipëri vazhdojnë të përballen me sfida reale në tregun e punës.
Ajo solli në vëmendje edhe të dhëna që tregojnë pabarazinë në punësim, ku rreth 62% e grave janë të punësuara, krahasuar me rreth 75% të burrave. Kjo, sipas saj, përkthehet në më pak mundësi ekonomike dhe më pak pavarësi për gratë.
Deputetja theksoi se gratë nuk kanë nevojë për më shumë fjalë, por për më shumë mundësi, për punë dhe paga dinjitoze.
Në përfundim të mesazhit të saj, ajo u shpreh se një shoqëri që respekton gratë është një shoqëri që ndërton të ardhmen, duke bërë thirrje që çdo vajzë dhe grua shqiptare të ketë mundësinë të ndërtojë jetën e saj me dinjitet, siguri dhe barazi.
Ajo uroi të gjitha gratë shqiptare për 8 Marsin, duke shprehur mirënjohje për forcën, sakrificën dhe kontributin e tyre në shoqëri.
