Nga Leonard Veizi
“Dita e grave” që në kalendar shënon 8 mars, edhe këtë vit në Shqipëri erdhi duke mbartur nga pas një mori hallesh e problemesh. Në dukje, festa është festë dhe gratë kanë krijuar një legjitimitet të pranuar nga shumica që të paktën një herë në vit të festojnë e drekojnë me njëra-tjetrën, pa praninë e burrave.
Ndaj në një ditë të tillë feste dhe hareje, edhe kujtohen por edhe harrohen të kujtohen gratë e vrara, të cilat nuk e kanë më këtë mundësi. Sepse i vrau një burrë…
…ndonjëherë edhe një grua… nuk është çudi.
Përgjithësisht, në Shqipëri, gratë nuk janë vrarë për shkak të aktivitetit të tyre politik e shoqëror. Ato janë vrarë në atë që konsiderohet ose si krim pasioni ose si krim brenda familjes. Pra një herë për nder e një herë për namuz. Por jo sepse ngritën zërin e tyre kundër padrejtësive, se kërkuan 8 orë punë dhe të drejtën e votës. Për ca e ca ky është një koncept arkaik. Për ca të tjerë ka të bëjë me burrërinë.
Por vrasja mbetet vrasje, nuk ka të bëjë as me njërën dhe as me tjetrën.
Në fakt 8 marsi, – të cilën në mënyrë paradoksale ne e kemi përkujtuar e festuar si ditën e nënave, – në fakt është Dita e Grave. E sanksionuar nga Konventa Ndërkombëtare tashmë. Dhe historia thotë se lufta për të mbërritur në një ditë përkujtimore ka nisur qysh herët me marshime proteste për të fituar disa të drejta të mohuara në shekuj. Gjithçka ka filluar në Nju Jorkun e Amerikës kapitaliste dhe ka përfunduar në Moskën e Rusisë Sovjetike. Saktësisht dihet vetëm që revoltat janë menaxhuar nga lëvizjet majtiste. Pastaj ka një kakofoni ngjarjesh, datash, tubimesh e protesta të dhunshme dhe numra kontradiktore të të vrarave në fushat e betejës. Por rezultati përfundimtar ishte një dhe i vetëm. Të gjitha të drejtat e kërkuara nga gratë u arritën. Burrat u zbythën.
Dhe në fund fare, është rënë dakord që simbolikën e fitores së grave, qoftë për 8-orarëshin e punës e qoftë për të drejtën e votës, ta mbante 8 marsi.
Sot gratë tona festojnë 8 marsin dhe pse kanë kontribut zero në hedhjen e themeleve të të drejtave. Kjo është një prej përfitimeve të shumta që kemi marrë nga bota e civilizuar, e cila pikërisht këtë civilizim e ka arritur pasi ka shkelur mbi kufoma.
Përgjithësisht në Shqipëri ka munguar shpirti i protestës, dhe shoqëria civile është prapa liste kur flitet për të tilla gjëra, që i takojnë më së shumti asaj. Shoqëria civile, pjesë e së cilës janë dhe gratë, pozicionin më të mirë kanë atë të daljes para kamerave për të folur për çështjet e mëdha të të drejtave. Por më shumë se sa për to, hallin e kanë tek kujdesi për imazhin personal.
Edhe protestat minimaliste që janë bërë tek-tuk, nuk do të kishin shans të bëheshin, nëse nuk financoheshin nga përfaqësitë e huaja.
Është si puna e fushatës ndaj sëmundshmërisë, lufta ndaj kancerit të gjirit fjala vjen. Bëhet fushata sepse financohen nga ndërkombëtarët, në të kundërt, asgjë. Priten fletëpalosje, printohen postera e pankarta simbolike, në vend që me këto para të bëhej një fushatë e gjallë në familjet e atyre që i ka zënë ky hall. Por kjo është tjetër gjë…, edhe pse çështje grash është edhe kjo. Sepse edhe kjo ka të bëjë me jetën dhe të drejtat njerëzore. Dhe jeta ndërpritet jo vetëm nga plumbi, por dhe nga një bisturi.
Të dhënat e fundit nga Observatori i Femicidit pranë Avokati i Popullit zbulojnë një realitet të dhimbshëm që vazhdon të prekë shumë gra dhe vajza në Shqipëri. Nga viti 2021 deri në vitin 2024, në vend janë vrarë 37 gra dhe vajza. Nga këto raste, 27 janë klasifikuar si femicide – vrasje të kryera pikërisht për shkak të gjinisë së viktimës.
Mars i vitit 2023, për shembull, nisi me një njollë të zezë për gratë shqiptare. Vetëm më 1 mars të atij viti, tre gra u vranë dhe tre të tjera mbetën të plagosura. Një bilanc tragjik, që vështirë se do të ishte më i rëndë edhe në rrethana lufte të hapur.
Një javë më pas, dhe po ashtu edhe sot, tre vjet më vonë – në vitin 2026 – ndoshta do të ishte më e udhës që, përtej dekorimeve festive dhe ahengjeve simbolike të 8 Marsit, në pedonalet e qyteteve shqiptare gratë të mblidheshin në tubime për të kërkuar edhe një herë të drejtat dhe liritë e tyre.
Sepse shpesh kemi krijuar përshtypjen se këto të drejta i kemi pasur gjithmonë. Në të vërtetë, ato janë fryt i betejave të gjata që janë zhvilluar në pjesë të ndryshme të botës, shpesh me sakrifica të mëdha. Historia e lëvizjes për të drejtat e grave tregon se shumë prej këtyre fitoreve kanë ardhur pas protestash, përplasjesh dhe, në raste tragjike, edhe pas humbjesh jete.
Në një kuptim simbolik, mund të thuhet se u deshën viktima në vende si New York City që sot gratë në vende të tjera të mund ta festojnë këtë ditë. Por në fund të fundit, çdo shoqëri është e detyruar të shohë edhe brenda vetes. Sepse secili, në fund, përballet me çatinë e vet.
Statistikat flasin për mijëra gra e vajza shqiptare që denoncojnë dhunën në vazhdimësi, dhe disa qindra prej tyre, në këto 30 vitet e tranzicionit tonë të çartur, kanë pësuar fatin më të keq.
Këpucët e kuqe të vendosura në shkallët e pallatit të kulturës janë një simbolikë, por protestat e fuqishme, aq sa të tronditin opinionin, mungojnë.
Ne festojmë 8 marsin, dalim nëpër podiume e flasim me fjalë të huaja. Bëjmë premtime pa kriter duke hedhur shashka ditën e natën fishekzjarrë. Dhe gratë vazhdojnë të jenë viktimat e burrave. Dhe jo vetëm të tyre. Por dhe të vetë grave. Sepse ka gra në sistemin legjislativ edhe në atë ekzekutiv, madje edhe në atë gjyqësor, por ndikimi i tyre me sa duket është i papërfillshëm. Na rroftë kabineti me gra.
Dhe gratë vriten në fakt. T’i lëmë statistikat. T’i thërrasim vetëm kujtesës. Kjo është një fatkeqësi mesjetare në kohën e artë të kibernetikës.
Ka ardhur koha për demonstrim, jo më për ahengje ku nuk mungojnë as djemtë e palestruar që kërcejnë “break dance” para grave të ekzaltuara.
Tanimë lufta është zhvendosur në një tjetër krah. Vërtet nuk të mohohet më vota. Edhe 8- orarëshi në zyrat e shtetit është i siguruar. Por jeta jo.
