Last Updated on 08/03/2026 by Anisa
Nga Anisa Xhani(Daci)
Të jesh grua ka qenë, është dhe do të mbetet rrugëtim i vështirë…
Çdo vit, 8 Marsi në Shqipëri shoqërohet me urime, lule dhe deklarata publike për rëndësinë e gruas, por pas kësaj retorike festive realiteti shpesh tregon një hendek të thellë mes simbolikës dhe barazisë reale.
Realiteti nuk është fasadë.
Gratë janë të dhunuara dhe luftojnë me skamje. Gruaja shqiptare ndeshet me problematika të mëdha në edukim, punësim dhe përfitimin e të mirave dhe shërbimeve, shpesh si viktimë e sjelljeve diskriminuese dhe mbajtëse e barrës së paragjykimeve në shoqëri. Diskutimi publik shpesh fokusohet vetëm tek dhuna fizike, por ekzistojnë forma më të fshehura: dhuna ekonomike, kontrolli psikologjik, kufizimi i lirisë së zgjedhjes dhe presioni për të ruajtur rolin tradicional, të cilat nuk lënë gjithmonë shenja të dukshme, por ndikojnë thellë në autonominë dhe dinjitetin e gruas.
Gratë nuk janë vetëm vajzat dhe gratë e zyrave; nuk janë vetëm ato që janë “zonjë mbi zonjat” për veten. Janë edhe ato që në pranverë hedhin farat në tokë, që prashisin arën nën diellin përvëlues të verës dhe që në vjeshtë vendosin lakun e litarit në fyt për të çuar prodhimin tek shtëpia. Të jesh grua në Shqipëri shpesh do të thotë të jetosh mes presionit social dhe forcës së brendshme. Treguesit gjinorë tregojnë se gratë janë ende më pak të përfaqësuara në pozita vendimmarrëse, dhe edhe pse numri i tyre është rritur, peshorja e vendimmarrjes mbetet e anuar. Paga mesatare e grave në shumë sektorë mbetet më e ulët, ndërsa puna e papaguar në familje, kujdesi për fëmijët, shtëpinë dhe të moshuarit bie kryesisht mbi supet e tyre.
Gratë të vetme në familje
Emigracioni masiv i ka lënë gratë të vetme, si shtylla që mban familjen pa mbështetje, duke marrë vendime të vetme, menaxhuar edukimin e fëmijëve, përballuar presionin ekonomik dhe shpesh duke u bërë njëkohësisht nënë dhe baba. Përgjegjësia e shtëpisë, edukimit dhe stabilitetit emocional të familjes bie mbi supet e tyre, dhe shpesh ato mbeten të vetme përballë një sistemi që nuk i mbështet. Shoqëria shqiptare shpesh e vlerëson gruan për sakrificën e saj: të durojë, të mos ankohet, të ruajë familjen dhe harmoninë edhe kur përballet me pabarazi. Pak flitet për koston emocionale dhe psikologjike të kësaj pritshmërie të vazhdueshme, sepse çdo ditë është si të mprehësh një laps, e dhimbshme, por e domosdoshme.
Ende të paragjykuara
Mjafton të shohim qasjen në hapësirën publike, në televizione, debate politike apo parlament për të kuptuar sa shpesh grave u drejtohet një gjuhë denigruese, paragjykuese dhe përçmuese. Edhe sot, në një shoqëri që pretendon të jetë moderne, diskursi ndaj grave mbetet i mbushur me stereotipe, etiketime dhe paragjykime. Fjalët e përdorura shpesh minimizojnë idetë e tyre, nënvlerësojnë kontributin dhe përpiqen t’i kufizojnë në rolet tradicionale, duke i bërë të ndihen të pashpresa për të mbrojtur vendin e tyre në hapësirën publike. Çdo diskutim ku zëri i gruas nuk merret seriozisht ose abuzohet me fjalë fyese, shpreh jo vetëm mungesën e respektit, por edhe thellon pabarazinë që ata përpiqen ta fshehin pas një fasade “moderniteti”. Kjo gjuhë e vazhdueshme krijon një ambient ku gratë duhet të luftojnë: për zërin e tyre dhe për të mos u shndërruar në viktima të paragjykimeve të vazhdueshme.
Paralelizmi me flamingon
Historia e gruas është si historia e flamingos: ato që nuk janë aq rozë sa të tjerat janë shpesh nënat që ushqejnë të vegjlit, duke dhënë gjithçka nga vetja. Po ashtu, gruaja shpesh jep gjithçka: për fëmijët, për familjen, për partnerin, për stabilitetin e shtëpisë, dhe shumë gra nuk e marrin “rozën” për një kohë të gjatë. Në shoqëri kjo zbehje romantizohet si sakrificë, por lodhja dhe pesha emocionale nuk maten kurrë siç duhet.
Nëse 8 Marsi mbetet vetëm një ditë simbolike, shoqëria po feston imazhin — jo transformimin. Gruaja shqiptare nuk ka nevojë vetëm për lule dhe fjalë të bukura; ajo ka nevojë për ndarje reale të punës në familje, për pavarësi financiare, për kontroll mbi pasurinë, për përfaqësim të barabartë në institucione dhe për zbatim të fortë të ligjeve kundër abuzimit.
