Last Updated on 09/03/2026 by Anisa
Diagnostikimi i saktë dhe në kohë i infeksioneve seksualisht të transmetueshme (SST) është një nga faktorët më të rëndësishëm për parandalimin dhe trajtimin e tyre. Doktoresha Silva Tafaj thekson se analizat laboratorike luajnë një rol kyç në identifikimin e këtyre infeksioneve dhe në përcaktimin e trajtimit të duhur.
Sipas saj, një nga elementët më të rëndësishëm që ndikon në saktësinë e analizave është mënyra e marrjes së mostrës. “Për femrat, disa mostra duhen marrë nga cerviksi nga gjinekologu, ndërsa për infeksione të tjera mund të përdoret vetëm tampon vaginal ose urina e parë,” shpjegon ajo. “Koha dhe mënyra e marrjes së mostrës ndikojnë direkt në rezultatin e analizës.”
Një tjetër faktor që duhet pasur parasysh para kryerjes së analizave është përdorimi i antibiotikëve. Doktoresha Tafaj rekomandon që pacientët të mos përdorin antibiotikë të paktën 48–72 orë para marrjes së mostrës, në mënyrë që rezultatet të jenë sa më të besueshme.
Në diagnostikimin modern të SST-ve po përdoret gjithnjë e më shumë testimi sindromik, një metodë që mundëson identifikimin e një numri të madh patogjenësh nga një mostër e vetme. “Ky testim lejon identifikimin e më shumë se 30 patogjenëve në një mostrë klinike brenda 24 orëve, duke përfshirë bakteret, viruset dhe parazitët më të shpeshtë,” thekson ajo.
Sipas doktoreshës, shumica e infeksioneve seksualisht të transmetueshme janë të trajtueshme. “Të gjithë patogjenët që transmetohen seksualisht janë të trajtueshëm. Shpesh mjafton një dozë e vetme antibiotiku për të kuruar një infeksion të zakonshëm si klamidia,” thotë Tafaj, duke nënvizuar rëndësinë e kontrolleve periodike, veçanërisht për personat seksualisht aktivë të moshës 15 deri në 49 vjeç.
Megjithatë, një nga sfidat kryesore mbetet stigma që lidhet me këto analiza. “Shumë qytetarë e ndiejnë si turp të bëjnë teste për SST, edhe pse nuk ka asgjë të turpshme në kujdesin për shëndetin e tyre,” shprehet ajo për “Health O’Clock”. “Çdo infeksion është si çdo infeksion tjetër dhe duhet trajtuar pa frikë.”
Në fund, doktoresha thekson edhe rëndësinë e informimit të partnerit dhe trajtimit në çift për të shmangur riinfektimin dhe përhapjen e mëtejshme të infeksioneve. “Është një formë kujdesi ndaj tjetrit dhe një mënyrë për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit,” përfundon ajo./A.D
