Last Updated on 09/03/2026 by EL
Sekretariati i Etikës në Kuvend ka vendosur përjashtimin me nga 10 ditë nga aktivitetet parlamentare të dy deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, pas incidenteve dhe gjuhës së përdorur në seancën e fundit plenare.
Vendimi erdhi pas kërkesës së Partisë Socialiste për marrjen e masave disiplinore ndaj dy deputetëve demokratë. Sipas raportimeve nga seanca, Klevis Balliu tentoi të godiste me grusht ministrin dhe deputetin socialist Taulant Balla gjatë përplasjes në sallë.
Ndërkohë, Gazment Bardhi është ndëshkuar gjithashtu me 10 ditë përjashtim pasi ofendoi deputetet e Partisë Socialiste, duke përdorur një gjuhë fyese ndaj tyre.
Përplasjet në Kuvend nuk kanë munguar as nga pala tjetër. Deputeti socialist Taulant Balla u përfshi në debat me deputeten demokrate Albana Vokshi, të cilës i është drejtuar me një koment ofendues duke i thënë se “e ka numrin 0900”.
Për këtë incident, Partia Demokratike ka kërkuar përjashtimin e Taulant Balla nga Kuvendi për 60 ditë./et
