Last Updated on 10/03/2026 by Anisa
Të martën në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është zhvilluar një tjetër seancë e gjykimit për dosjen e Gërdecit, ku ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzohet për shpërdorim detyre.
Para gjyqtares Irena Gjoka dhe prokurorit Arben Kraja, avokati i mbrojtjes, Henrik Ligori, theksoi disa argumente në favor të klientit të tij. Ligori argumentoi se përgjegjësitë për incidentin e Gërdecit nuk mund t’i ngarkohen ministrit politik, pasi Ministria e Mbrojtjes funksionon me dy nivele: një pjesë politike dhe shtabin e përgjithshëm.
“Ministria ka dy krerë; njerëzit që kanë pasur përgjegjësi për Gërdecin i kanë marrë ato përgjegjësi. Sa i takon akuzës për municionet, nuk ka asnjë akt ligjor që e ndan kalibrin e madh nga ai i vogël. Ministri i mbrojtjes përgjigjet për politikat e ministrisë, jo për detajet teknike. Për transportin, nuk është detyrë e tij, pasi ka struktura që merret me faturat. Akuza duket e pambështetur”, deklaroi Ligori.
Gjyqtarja Gjoka gjithashtu lexoi përgjigjen e kërkesës së mbrojtjes për përjashtimin e saj nga gjykimi, duke theksuar se nuk është gjetur shkelje:
“Pas shqyrtimit, është vendosur papajtueshmëri mbi kërkesën e mbrojtjes. Mosrespektimi i afatit ka sjellë edhe papajtueshmëri të kërkesës së avokatëve”, tha gjyqtarja.
Seanca e radhës do të përcaktojë vijimin e procedurës, ndërsa mbrojtja dhe prokuroria do të sjellin argumente të mëtejshme mbi përgjegjësitë për tragjedinë e Gërdecit.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh, me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit të marsit 2008 në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të viteve 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe, për rrjedhojë, nuk ekziston asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.
