Last Updated on 10/03/2026 by Anisa
‘Një lajm shumë i trishtë nga spitali në Itali ku vajza jonë e shkëlqyer, nga Librazhdi, Klarisa Zharri nuk ia doli dot ta fitonte betejën për jetën
megjithë përpjekjet e mjekëve. Ngushëlime familjes, të fejuarit Olsit dhe mirënjohje të gjithë atyre që kontribuan me zemër të bardhë për ta ndihmuar, por zoti vendosi ta merrte.’, Kështu shprehu dhimbjen e tij dhe ngushëllimet, Taulant Balla, duke falënderuar gjithashtu të gjithë ata që kontribuan për ta ndihmuar.
Infermierja 22-vjeçare ishte diagnostikuar me një sëmundje të rëndë autoimune të mëlçisë, që kishte shkaktuar cirrozë të avancuar dhe dështim funksional të organit. Ajo kishte nevojë për transplant mëlçie — një ndërhyrje jetike që kërkonte mbështetje të gjerë financiare.
Apeli për ndihmë mobilizoi një komunitet të tërë. Qytetarë nga Librazhdi, shqiptarë nga qytete të tjera dhe diaspora kontribuan me zemër për të mbledhur 100 mijë eurot e nevojshme, që i mundësuan Klarisës udhëtimin drejt një prej qendrave më të njohura të transplanteve në Itali. Solidariteti i treguar u bë një shembull i rrallë humanizmi: qindra njerëz dhanë donacione, mesazhe mbështetjeje, telefonata dhe përpjekje për të ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme.
Megjithatë, përpjekjet dhe shpresa e komunitetit nuk mjaftuan për të mundur sëmundjen. Humbja e Klarisës ka lënë një boshllëk të madh dhe tronditje tek të gjithë ata që ndoqën historinë e saj dhe besuan deri në fund se ajo do ta fitonte betejën.
Kujtimi i Klarisës dhe solidariteti i jashtëzakonshëm mbeten një dëshmi e fuqisë së humanizmit dhe dashurisë njerëzore./A.D
