Shteti italian ka blerë një pikturë të artistit të njohur italian Caravaggio, duke paguar rreth 30 milionë euro, një nga shumat më të larta që janë paguar ndonjëherë për një vepër arti.
Piktura paraqet Maffeo Barberini, i cili më vonë u zgjodh Papë me emrin Papa Urbani VIII. Autoritetet italiane e konsiderojnë veprën veçanërisht të rëndësishme për historinë e artit.
Sipas ministrit të Kulturës, blerja është pjesë e një strategjie më të gjerë për të siguruar që veprat e rëndësishme artistike të mbeten të aksesueshme për publikun dhe të mos përfundojnë në koleksione private.
Piktura ishte ruajtur për vite me radhë në një koleksion privat në Florence dhe u prezantua për herë të parë për publikun në Rome në vitin 2024. Ajo konsiderohet një nga portretet e rralla të piktorit të famshëm: nga rreth 65 vepra të njohura të Caravaggio që kanë mbijetuar në mbarë botën, vetëm tre janë portrete.
Ekspozim i përhershëm në Palazzo Barberini
Vepra tashmë është transferuar në koleksionin e përhershëm të Palazzo Barberini në Rome, pallati historik i familjes së personit të paraqitur në pikturë. Pikërisht aty ajo ishte ekspozuar për herë të parë publikisht dhe tani do të shfaqet përkrah veprave të tjera të të njëjtit artist.
Piktura u realizua rreth vitit 1598 dhe paraqet Barberinin si një klerik me mjekër. Në portret ai duket duke shtrirë dorën e djathtë sikur po jep udhëzime, ndërsa në dorën e majtë mban një dokument.
Barberini u zgjodh Papë në vitin 1623 dhe qëndroi në fronin papnor deri në vdekjen e tij në vitin 1644. Gjatë jetës së tij ai njihej edhe si një mbështetës i rëndësishëm i arteve.
Ministri i Kulturës i Italisë, Alessandro Giuli, theksoi se blerja është pjesë e një politike më të gjerë për forcimin e trashëgimisë kulturore kombëtare.
Siç deklaroi ai: “Kjo blerje është pjesë e një programi më të gjerë për të forcuar trashëgiminë tonë kulturore. Synimi është që kryeveprat e rëndësishme të historisë së artit të mbeten të aksesueshme për studiuesit dhe publikun, në vend që të përfundojnë në koleksione private”.
Ai falenderoi gjithashtu institucionet dhe ekspertët që kontribuan në përfundimin e marrëveshjes.
Caravaggio, emri i vërtetë i të cilit ishte Michelangelo Merisi, vdiq në vitin 1610 në moshën vetëm 38-vjeçare.
Ai konsiderohet një nga piktorët më të rëndësishëm të epokës së tij dhe u bë i njohur për teknikën Chiaroscuro, kontrasti dramatik mes dritës dhe hijes që i jep figurave realizëm të fortë dhe thellësi psikologjike./mxh
