Doktrina e aventurave ushtarake pa ligj e presidentit amerikan dëmton interesat e SHBA-së dhe i jep avantazh Vladimir Putinit.
Rafael Behr*
Të bësh luftë pa një qëllim të qartë do të thotë që fitorja mund të shpallet në çdo moment. Motivet e Donald Trump për të nisur Operacionin Epic Fury kundër Iranit ishin të paqarta që në fillim. Nuk janë më të qarta as tani që ai e ka shpallur operacionin “shumë të plotë, pothuajse”.
Bombat amerikane dhe izraelite kanë shkaktuar vdekje dhe shkatërrim, duke e tronditur, por jo rrëzuar qeverinë në Teheran. Mes objektivave ishte edhe udhëheqësi suprem Ali Khamenei. Ai është zëvendësuar nga djali i tij – një kandidat që presidenti amerikan e cilëson “të papranueshëm”.
Ndryshimi i regjimit ishte plani fillestar, por për Trumpin duket më e lehtë të ndryshojë planet sesa regjimet. Ajo që nisi si një angazhim afatgjatë për të zhbërë dekada të Revolucionit Islamik Iranian është shndërruar në një “ekskursion afatshkurtër” për të neutralizuar kapacitetet ushtarake të Iranit.
Trump nuk ka shpallur ende zyrtarisht “misioni u përmbush”. Ai thotë se ka fituar, por edhe se ka ende më shumë për të fituar. Ky është momenti i njohur i tërheqjes retorike, që tregon një ndërgjegjësim të vonuar se problemi është më kompleks sesa kishte menduar fillimisht presidenti. Kompleksiteti i reziston vullnetit të tij. Dhe e mërzit.
Irani rezulton të jetë ndryshe nga Venezuela, përveç një analize sipërfaqësore si vende eksportuese energjie me histori marrëdhëniesh armiqësore me Shtetet e Bashkuara. Modeli i eliminimit të regjimit që çoi në rrëmbimin e Nicolás Maduro nga Karakas dhe zëvendësimin e tij me një zëvendëspresident të bindur më herët këtë vit i hapi oreksin Trumpit për një vazhdim iranian. Por Republika Islamike ka rezerva të forta qëndrueshmërie ideologjike dhe institucionale. Ajo mund gjithashtu të trembë tregjet ndërkombëtare duke kërcënuar tregtinë në Gjirin Persik.
Shtëpia e Bardhë duket se nuk i kishte parashikuar pasojat ekonomike të parashikueshme të luftës në Lindjen e Mesme: rritjen e çmimeve të naftës, rënien e tregjeve të aksioneve, ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit që ushqejnë inflacionin dhe frenojnë rritjen ekonomike.
Dritat e kuqe në panelin financiar ishin me siguri arsyeja pse Trump u zotua ta përmbyllte shpejt aventurën e tij ushtarake. Një marrëveshje e heshtur po merr formë: harroni lirinë. Iranianët mund të vazhdojnë të shtypen për sa kohë që transporti detar përmes Ngushticës së Hormuzit mbetet i paprekur.
Një përpjekje tjetër për ndryshim regjimi është e mundur, por askush nuk duhet të habitet nëse objektivat reduktohen. Ky është modeli i Trumpit. Kështu ndodhi edhe me tarifat e tij të “ditës së çlirimit”, të rritura në maksimum e më pas të zbutura për të qetësuar panikun në tregjet globale. Kështu ndodhi edhe me kërcënimet për aneksimin e Grenlandës, të shpallura me tone luftarake e më pas të zbutura nën presionin e aleatëve evropianë.
Prirja është bërë aq e dukshme sa ka marrë edhe një akronim: Taco – Trump Always Chickens Out (“Trump gjithmonë tërhiqet në fund”). Por kjo nënkupton një tërheqje më të plotë nga idetë e këqija sesa ndodh në të vërtetë. Norma mesatare e tarifave amerikane mbetet më e larta në një shekull. Pretendimi se Grenlanda i përket SHBA-së nuk është tërhequr. Terreni i përbashkët ku demokracitë evropiane mendonin se qëndronin me Amerikën është mbushur me dyshim.
Çdo shpërthim i fuqisë egoiste e gërryen besimin dhe sabotonte kornizën ndërkombëtare për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes negociatave.
Përfituesi më i madh jo-luftarak nga Operacioni Epic Fury ka qenë Vladimir Putin. Ekonomia e dobësuar e Rusisë përfiton nga rritja e çmimeve të energjisë. Për të lubrifikuar furnizimin global, Uashingtoni ka hequr sanksionet ndaj Indisë për blerjen e naftës ruse. Një breshëri e vazhdueshme raketash iraniane ndaj aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik shteron rezervat e sistemeve mbrojtëse që i nevojiten edhe Ukrainës.
Megjithatë, nuk është gjithçka pozitive për Kremlinin. Dronët iranianë – një pjesë e rëndësishme e arsenalit të Putinit – nuk do të dërgohen në Moskë nëse nevojiten më afër shtëpisë. Për presidentin rus është gjithashtu poshtëruese të qëndrojë i pafuqishëm ndërsa një aleat i vjetër goditet vazhdimisht nga ajri.
Në planin afatgjatë, Putini përfiton nga forcimi i doktrinës gjeopolitike sipas së cilës vendet e mëdha mund të bëjnë çfarë të duan me shtetet ndaj të cilave kanë armiqësi. Kremlini nuk u shqetësua për sovranitetin e Ukrainës kur kërkoi ndryshim regjimi në Kiev, dhe është i kënaqur të shohë Washington të ndjekë të njëjtën logjikë me Teheranin.
Që rastet janë të ndryshme duhet të jetë e qartë për këdo me një busull morale funksionale. Ukraina është një demokraci e pushtuar nga një fqinj despotik sepse guxoi të ndjekë një politikë të pavarur tregtare dhe sigurie. Irani është një diktaturë që vret qytetarët e vet dhe eksporton terrorizëm.
Këto dallime janë të rëndësishme për të hedhur poshtë ekuivalencat morale cinike të Putinit, por nuk mjaftojnë për të justifikuar luftën e Trumpit. Po ashtu nuk ka prova që mbështesin pretendimin për vetëmbrojtje ndaj një sulmi iranian “të afërt”.
Ekziston një hap i madh mes pranimit të ligësisë së sundimtarëve iranianë, dëshirës për të mos i lejuar kurrë të zotërojnë armë bërthamore, dhe përfundimit se ilaçi i vetëm është lufta – tani dhe pa mandat ligjor. Është një hap që Keir Starmer me të drejtë zgjedh të mos e bëjë.
Jo kështu udhëheqësja e opozitës. Gatishmëria e Kemi Badenoch për të përfshirë Britaninë në një konflikt të hapur dhe frika për të mos humbur favorin e Trumpit nuk lë vend për dyshime ndaj një presidenti famëkeq për paqëndrueshmërinë e tij. Ajo beson se kryeministri i detyrohet atij jo vetëm ndihmë ushtarake, por edhe bindje të pakushtëzuar. Nigel Farage ishte po aq entuziast në fillim, por antenat e tij politike janë mjaft të ndjeshme ndaj opinionit publik saqë më pas e ka zbutur mesazhin.
Qëndrimi tradicional pro-amerikan tingëllon i respektueshëm si realpolitikë: Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur prej kohësh sigurinë e saj te SHBA-ja; kur thirret për të kthyer favorin, nuk duhet të ketë hezitime. Por ky argument supozon se nuk ka dallime interesash mes Londrës dhe Uashingtonit – ose të paktën jo aq të mëdha sa Starmer të refuzojë ndonjëherë një kërkesë të Trumpit.
Është e vështirë të mbahet ky mendim duke parë qartë njerëzit që aktualisht përcaktojnë politikën amerikane: gjykimin e tyre të paqëndrueshëm, përbuzjen ndaj aleancave ndërkombëtare, mospërfilljen për çdo kufizim ligjor ndaj presidentit dhe orientimin ideologjik drejt një botëkuptimi të djathtë ekstrem, nacionalist të krishterë dhe supremacist të bardhë. Kjo pa përmendur mundësinë që deklaratat publike të çrregullta dhe gjysmë-koherente të Trumpit të reflektojnë një rënie patologjike njohëse.
A është politikë zyrtare konservatore që Britania duhet t’i nënshtrohet gjithmonë kapriçove të një narcisi të korruptuar, të rrethuar nga kleptokratë, servilë dhe ultranacionalistë? Apo kjo vlen vetëm kur ata bien daullet e luftës? Asnjëra nuk ka kuptim si plan për politikën e jashtme britanike.
Doktrina e Trumpit e barazon egon e presidentit me sigurinë dhe prosperitetin e shtetit. Ajo supozon se ushtrimi i fuqisë ushtarake nga një njeri i vetëm, pa kufizime ligjore dhe pa marrë parasysh pasojat ekonomike, e rrit lavdinë e Amerikës. Nuk përmban asnjë koncept për origjinën e fuqisë së Trumpit – sepse kjo do të nënkuptonte një borxh ndaj së kaluarës, ndaj paraardhësve të tij në detyrë, ndaj kushtetutës, ndaj aleatëve demokratikë dhe ndaj historisë së pranimit të emigrantëve që kërkonin ëndrrën amerikane.
Kjo është gënjeshtra qendrore e projektit Maga. Ta bësh Trumpin të ndihet i madh do të thotë të zhbësh madhështinë amerikane. Duke përqendruar pushtetin te vetja, presidenti minon themelet e fuqisë së vendit të tij në botë dhe dëmton aleatët. Të përcaktosh interesin kombëtar të Britanisë si besnikëri ndaj administratës së Shtëpisë së Bardhë është absurde, kur vetë interesat kombëtare të SHBA-së do të shërbeheshin më mirë nga një ndryshim regjimi në Washington.
*Rafael Behr është kolumnist i gazetës “The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi
