Last Updated on 12/03/2026 by Anisa
Petro Koçi ka reaguar me një status në rrjetet sociale duke komentuar zhvillimet politike dhe debatet e fundit rreth drejtësisë. Sipas tij, qëndrimet e Sali Berishës nuk lidhen realisht me luftën kundër korrupsionit apo me çështjen e imunitetit të Belinda Balluku, por me një motiv tjetër politik që lidhet me ngjarjet e 21 janarit 2011.
Statusi i Petro Koçit
“Berisha nuk e ka hallin e imunitetit të Belindës dhe as luftën ndaj korrupsionit.
Ai ka vetëm një peng: 21 Janarin. Kërkon ta shlyejë.
Si do ta bëjë, sipas jush?
Kërkon të paktën edhe një viktimë tjetër, për të cilën të ketë mundësi të akuzohet policia e sotme e shtetit, që e përkthyer prej tij do të konsiderohej vrasje e urdhëruar nga Rama.
Prandaj duhen marrë masa dhe ndërmarrë veprime e vendime rreptësisht ligjore për të shmangur projektet shpirtkëqija të këtij përbindëshi politik, që Shqipërisë ia dhuroi dikur Partia e Punës.
Nga ana tjetër, kërkesat e drejtësisë duhen konsideruar duke llogaritur në radhë të parë interesat e vendit dhe të integrimit europian, e jo ato personale apo egoizmin politik.
Qëndrime përtej standardeve të deklaruara dhe të zbatuara deri më sot do të ushqenin alibinë e këtij përbindëshi politik dhe do të rrisnin përkrahjen për politikën e tij destabilizuese.”
Këtë të enjte në orën 10:00 nis seanca plenare, e cila ka në rend dite votimin e kërkesës së SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Njëkohësisht me seancën, jashtë godinës pritet të nisë protesta që ka thirrur Partia Demokratike. Ndryshe nga protestat e shkuara të zhvilluara gjatë mbrëmjeve, sot PD ka ndryshuar skenarin dhe pritet që tubimi të zhvillohet vetëm jashtë godinës së Kuvendit.
Që prej mbrëmjes së të mërkurës Parlamenti është blinduar dhe ka shtuar masat e sigurisë, për të shmangur përshkallëzimin e protestës.
Parlamenti është rrethuar me gardh metalik si masë paraprake për tubimin e Partisë Demokratike./A.D
