Last Updated on 12/03/2026 by Anisa
Nga Afrim Krasniqi
Retrospektivë…Nuk ka rëndësi viti, fenomeni mbetet i njëjtë, sidomos gjatë tranzicionit. Vendimmarrësit (tanë) politikë marrin vendime të gabuara, klienteliste, refuzuese ndaj parimeve të shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale dhe në mbrojtje të interesit publik …. dalin shtetet perëndimore! Këto të fundit flasin për interesat e vendit dhe apelojnë për ligj, drejtësi, antikorrupsion, standarde demokratike, kurse këta “tanët”, vijojnë të njësojnë shtetin me veten, postin me veten, ligjin me veten, kushtetutën me veten. Si dikur Byroja. Bëjnë njëherësh politikanin, deputetin, ministrin, gjyqtarin, prokurorin, gazetarin, etj, etj. Me arrogancë, padije dhe fodullëk.
Le të jemi të qartë: qeveria & mazhoranca e ka të pamundur të pranojë hetimin e saj. Ministrat emërohen, deputetët emërohen, të gjithë nga i njëjti person. Skandalet e shumta, lidhjet e forta informale dhe hierarkia e lartë e zyrtarëve të përfshirë në akte korruptive tregojnë nivelin po aq të lartë të korrupsionit dhe na rikujtojnë modelin, siç Rama thoshte kur ishte në opozitë “periodikisht vjedhin vota për të vjedhur Shqipërinë dhe pastaj vjedhin Shqipërinë për të vjedhur vota”. Nga ana tjetër opozita më shumë përfiton politikisht nga refuzimi i parlamentit për BB sesa nga miratimi i hetimit shterues. Një zyrtar i dënuar është statistikë, një zyrtar që merr pas vetes parlamentin dhe qeverinë është sa tregues aq edhe ushqim krize. Një qeveri, mazhorancë dhe lider që mbron një të korruptuar dhe pengon drejtësinë është dhuratë për opozitën, siç kjo e fundit, e pa reformuar dhe me të njëjtat defekte, është dhuratë për qeverinë.
Interesi shtetëror? Integrimi? Shqipëria “si gjithë Europa”? 2030? Fatkeqësisht më shumë mendojnë disa nga vendet partnere sesa ne vetë. E ardhmja? Do i hiqet imuniteti, do hetohet, pastaj secili marrtë atë që meriton.
Vonesa? Mesazhi? Çmimi? Lexoni letrën ER & AV të ca ditëve më parë në FAZ: nuk duam votë, veto dhe as komisioner, nuk duam rol në vendimmarrje, ndaj si shkëmbim na pranoni sic jemi, pa ndryshuar, pa u reformuar, pa na gjykuar!!
