Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar se një ushtar francez ka humbur jetën gjatë një sulmi të zhvilluar në rajonin e Erbilit të Kurdistanit irakian. Ngjarja ka ndodhur në një kohë kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit janë në rritje.
Sipas deklaratës së Presidentit Macron, ushtari i vrarë, Marshali Arnaud Frion, i përkiste Batalionit të 7-të dhe humbi jetën gjatë një sulmi të papritur në rajonin verior të Irakut. Gjithashtu, gjashtë ushtarë të tjerë francezë janë plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.
“Marshali Arnaud Frion vdiq për Francën gjatë një sulmi në rajonin e Erbilit. Ky akt i dhunshëm është një tragjedi për të gjithë ne. Lufta në Iran nuk mund të justifikojë sulme të tilla dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur jetën e ushtarëve tanë”, tha Macron në një deklaratë të lëshuar nga Zyra e Presidentit.
Sulmi ka ndodhur në një periudhë të ndjeshme, pasi tensionet ndërkombëtare janë rritur, sidomos pas sulmeve të fundit në Lindjen e Mesme dhe kërcënimeve të shumta nga Irani ndaj interesave perëndimore në rajon.
Macron ka bërë thirrje për një hetim të shpejtë dhe të plotë mbi këtë sulm dhe ka ripërsëritur angazhimin e Francës për të luftuar kundër grupeve terroriste dhe destabilitetit në rajon.
Po në lidhje me luftën në Lindjen e Mesme, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, komentoi gjithashtu mbi shëndetin e udhëheqësit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili ishte plagosur gjatë sulmit amerikano-izraelit më 28 shkurt. Trump tha se Khamenei ishte i plagosur, por shtoi se ai ndoshta ishte ende gjallë. “Është plagosur, por mendoj se ndoshta është gjallë “, deklaroi Trump gjatë një interviste./kb
