Nga Leonard Veizi
Muaji mars është një periudhë simbolike për shqiptarët, pasi sjell me vete disa festa të rëndësishme që pasqyrojnë vlerat e shoqërisë sonë: 7 Marsi – Dita e Mësuesit, 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas, 14 Marsi – Dita e Verës, 20 Marsi – Bajrami pas muajit të Ramazanit, dhe 22 Marsi – Dita e Hashures. Këto data, megjithëse të ndryshme në thelb, lidhen ngushtë me zhvillimin e kulturës, respektin për figurat e rëndësishme dhe festimin e jetës…
…Timtami i daulleve kan nisur të dëgjohet prej ditsh. Marsi ka hapur siparin e një vargu festash që, me gjithë karakterin e tyre të ndryshëm, krijojnë një simfoni gëzimi dhe reflektimi. Në këtë mozaik festiv, secila datë ka peshën dhe shijen e saj, por të gjitha bashkohen në një harmoni që përshkon shoqërinë shqiptare.
Arsimi, drita për kombin
7 Marsi është një festë më e qetë, një homazh për dijen dhe për mësuesit, ata që ndezin dritën e arsimit në breza. Nderimi për ta nuk ka daulle e brohoritje, por përmban një respekt të heshtur, një mirënjohje që ka rrënjë të thella në vetëdijen e çdo nxënësi e qytetari.
Dita e Mësuesit është një homazh për hapjen e shkollës së parë shqipe më 7 mars 1887 në Korçë. Kjo datë nuk është thjesht një kujtim historik, por një reflektim mbi rolin e arsimit në formësimin e identitetit kombëtar. Mësuesit kanë qenë jo vetëm transmetues të dijeve, por edhe udhërrëfyes të brezave në rrugën e qytetërimit dhe lirisë. Në një kohë kur sfidat e arsimit janë të shumta, nga ndryshimet teknologjike te vështirësitë sociale dhe ekonomike, 7 Marsi mbetet një ditë për të vlerësuar dhe mbështetur ata që mbajnë në duar të ardhmen intelektuale të shoqërisë.
Gruaja, shtylla e shoqërisë
Pastaj vjen 8 Marsi, një ditë me përmasa më të gjera, që e kapërcen pragun e shkollave dhe del në rrugë, në tryeza festive, në fjalime e buqeta me lule. Gruaja, kjo forcë e madhe, nuk është thjesht një simbol për një ditë të vetme, por një shtyllë e palëkundur e shoqërisë. Përtej dhuratave dhe urimeve, kjo është një ditë për të reflektuar mbi sakrificat, përpjekjet dhe fuqinë e grave në çdo hapësirë të jetës.
Dita Ndërkombëtare e Gruas ka kaluar nga një datë proteste për të drejtat e grave në një festë për rolin e tyre në shoqëri. Megjithatë, nëse e festojmë këtë ditë pa reflektuar mbi sfidat që gratë ende përballen – pabarazinë, dhunën apo diskriminimin – atëherë 8 Marsi rrezikon të mbetet thjesht një shënim kalendarik, pa ndikim real. Në Shqipëri dhe në botë, gratë kanë dëshmuar se janë shtylla të familjes, arsimit, ekonomisë dhe politikës. Prandaj, përtej dhuratave dhe urimeve, kjo ditë duhet të shërbejë si moment reflektimi dhe veprimi për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë.
Festa e jetës dhe traditës
Dhe si qershia mbi tortë, vjen 14 Marsi, Dita e Verës. Kulminacioni ndodh në qytetin e Elbasanit, ku kjo festë është pothuajse e shenjtë, madje shpesh konsiderohet më e rëndësishme se vetë ndërrimi i viteve. Këtu gjithçka merr një trajtë tjetër: rrugët mbushen me ngjyra, aroma e ballokumeve përhapet kudo dhe “qeni i kallajxhiut” nis vallen e tij të pandalshme. Sepse është festë.
Dita e Verës është një festë e lashtë pagane që simbolizon ardhjen e pranverës dhe ringjalljen e natyrës. E rrënjosur thellë në traditën shqiptare, sidomos në Elbasan, kjo festë është një kujtesë se pas dimrit vjen pranvera, pas vështirësive vjen lehtësimi. Në një botë gjithnjë e më të tensionuar, ku ritmi i jetës shpesh na largon nga vlerat e thjeshta, 14 Marsi na fton të ndalemi, të festojmë dhe të rifitojmë lidhjen me natyrën dhe me njëri-tjetrin.
Bajrami, festa e faljes dhe solidaritetit
Këtë vit, kalendari i marsit sjell edhe një tjetër moment të rëndësishëm shpirtëror. Më 20 mars 2026, besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin që shënon përfundimin e muajit të Ramazanit.
Pas një muaji agjërimi, përkushtimi dhe reflektimi, kjo festë mbart mesazhin e faljes, të solidaritetit dhe të ndarjes së të mirave me të tjerët. Bajrami është një moment kur familjet mblidhen, dyert hapen për miqtë dhe të afërmit, ndërsa zemrat kujtojnë më shumë se kurrë ata që kanë nevojë për ndihmë. Në thelb, kjo festë rikujton një të vërtetë të thjeshtë: se besimi dhe humanizmi janë të pandarë nga njëri-tjetri.
Hashurja në ekuinoks
Në këtë muaj të mbushur me ritme festash nuk mund të harrohet as 22 Marsi, dita e Sulltan Nevruzit apo siç njihet ndryshe: Dita e Hashures. Një mars i mbushur me simbolika, një mars që nuk është thjesht kalendarik, por edhe shpirtëror. Festa e Hashures nuk është vetëm një moment fetar, por edhe një simbol i tolerancës dhe bashkëjetesës, një kujtesë se diversiteti është pasuri dhe jo ndarje.
Një muaj, shumë mesazhe
Këto festa nuk janë thjesht data në kalendar; ato mbartin disa mesazhe të fuqishme për shoqërinë: nevojën për arsim dhe dije, respektin për gratë dhe barazinë, gëzimin e traditave, si dhe rëndësinë e solidaritetit dhe bashkimit shpirtëror.
Nga 7 Marsi, që nderon dritën e dijes dhe përkushtimin e mësuesve, tek 8 Marsi, që shpërfaq forcën e gruas dhe kauzat e saj; nga 14 Marsi, që na fton në një vallëzim me pranverën, te 20 Marsi, festa e faljes dhe solidaritetit e Fitër Bajramit, e deri te 22 Marsi, një ditë harmonie dhe bashkimi.
Në këtë mars të zhurmshëm e të gjallë, nga timtami i daulleve te kërcitja e enëve të bakrit për përgatitjen e ballokumeve, nga petalet e luleve të marsit te ëmbëlsia e hashures me grurë, një gjë mbetet e përbashkët: fryma e festës dhe ndjenja e bashkimit.
Por përtej atmosferës festive, marsi na vë edhe përballë një pyetjeje të thjeshtë: a dimë t’i kuptojmë vërtet mesazhet e këtyre festave? Sepse një shoqëri nuk ndërtohet vetëm me ceremoni dhe urime. Ajo ndërtohet me respekt për dijen, me barazi për gratë, me ruajtje të traditave dhe me një ndjenjë të thellë solidariteti ndaj tjetrit.
Nëse këto ditë do të mbeteshin vetëm si rituale kalendarike, ato do të humbnin fuqinë e tyre të vërtetë. Por nëse i shohim si kujtesë për atë që duhet të jemi si shoqëri – më të ditur, më të drejtë, më njerëzorë – atëherë marsi nuk është vetëm një muaj festash. Ai bëhet një pasqyrë e vetëdijes sonë kolektive.
Sepse në fund të fundit, mes aromës së ballokumeve, ëmbëlsisë së hashures dhe urimeve të Bajramit, qëndron një ide e thjeshtë: se shoqëritë që dinë të festojnë bashkë, janë edhe shoqëritë që dinë të jetojnë bashkë.
