Donika Ndoj është kryetarja e re e degës së Partisë Demokratike në Lezhë. Ajo është prezantuar dje në mbrëmje me strukturat dhe siç njofton Kryesia e kësaj force politike, është zgjedhur përmes një procesi model duke marrë besimin e demokratëve.
Gjin Gjoni, Agron Gjekmarkaj dhe të tjerë funksionarë të PD kanë qenë dje në Lezhë, ndërsa kanë theksuar se tashmë strukturat duhet të mobilizohen për protestën e 22 Marsit, të thirrur nga Sali Berisha në Tiranë.
“Gjatë takimit diskutuam për forcimin e strukturave të Partisë Demokratike dhe për organizimin e grupeve të punës për përditësimin e anëtarësisë, si një hap i domosdoshëm për rritjen e angazhimit dhe bashkimin e të gjithë demokratëve.
Në të njëjtën kohë nisëm mobilizimin për protestën e radhës kombëtare të 22 marsit në Tiranë, përpara Kryeministrisë. Shqipëria ndodhet në një moment kritik dhe largimi i Edi Ramës është tashmë një emergjencë kombëtare”, shkruan Gjin Gjoni.
Deputeti demokrat thekson se beteja e demokratëve për rikthimin e demokracisë në vend do të vazhdojë dhe ata si përfaqësues do të jenë krah tyre.
“Beteja e demokratëve për të rikthyer demokracinë, shtetin e së drejtës dhe shpresën për qytetarët nuk do të ndalet deri në fitore. Ne do të jemi në krah të qytetarëve deri në momentin kur Shqipëria të çlirohet nga ky pushtet i korruptuar dhe arrogant”, përmbyll Gjin Gjoni.
