Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot, 15 mars, të mbyllur çështjen ndaj deputetes Belinda Balluku. Ai u shpreh se Kuvendi e trajtoi me përgjegjësi rastin dhe nuk e autorizoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, të cilën e përshkroi si vazhdë të një kuturisje.
“Çështja e deputetes Belinda Balluku, sipas meje, sipas nesh, është një çështje e mbyllur. Kuvendi u shpreh pasi trajtoi me shumë përgjegjësi dhe me kujdesin më të madh të gjithë çka iu vu në dispozicion dhe nuk e autorizoi kërkesën me vlerësimin se kërkesa është në vazhdën e një kuturisjeje, e cila nuk mund të vazhdojë pafundësisht, ku njerëzit trajtohen si të ishin mjete në dispozicion të luftës kundër korrupsionit, edhe kur nuk bëhet fjalë për korrupsion, edhe kur nuk bëhet fjalë për përvetësime për interesa personale, edhe kur nuk bëhet fjalë për ndonjë arsye që mund të pengojë zhvillimin e hetimeve dhe merren edhe futen brenda, duke praktikisht e kthyer Shqipërinë në delen e zezë të Këshillit të Europës, të të gjitha vendeve të Këshillit të Euopës, jo të Bashkimit Europian, si vendin me më shumë të paraburgosur, pra të kyçur brenda pa gjyq, sesa të burgosur, pra të gjykuar dhe të dënuar”, tha Rama.
Kryeministri argumentoi se mosdhënia e autorizimit për arrest nuk e pengon prokurorinë të vijojë hetimin apo të kërkojë masa të tjera. Sa i përket Ballukut ai u shpreh se ajo nuk ka më funksione ekzekutive. Për këtë aryse, ai u shpreh se masa e sigurimit me arrestim duhet të jetë mjeti i fundit.
“Në këtë rast, siç dihet botërisht, kemi të bëjmë me një çështje ku prokurori ka ngritur me të drejtën e vet dyshimin dhe ka nisur hetimin dhe pastaj ka ngritur akuzën për shkelje të barazisë në tendera rreth gjashtë vite më parë dhe nga ana tjetër nuk ka akuzë për korrupsion, nuk ka akuzë për përvetësim fondesh, nuk ka asnjë skenë flagrance, asnjë provë që të çon në këtë drejtim. Dhe Kodi i Procedurës Penale është shumë i qartë: Mosdhënia e autorizimit për arrest nuk e pengon prokurorinë të vijojë hetimin apo të kërkojë masa tjera. Pra, hetimi vazhdon dhe drejtësia nuk pengohet. Nga ana tjetër, deputetja nuk ushtron më asnjë funksion ekzekutiv. E gjithë kërkesa ishte aty, kur ajo e ushtronte funksionin ekzekutiv dhe pavarësisht se ajo nuk është më në detyrë, prokuroria vazhdoi të kërkojë të njëjtën gjë, duke harruar se faktikisht nuk kishte asgjë të re që kishte ndodhur, përveç faktit që deputetja ishte thjesht një deputete dhe që nuk ka më asnjë kapacitet të ndikojë në asgjë për sa i përket hetimeve”, tha Rama.
Ironizoi edhe opozitën duke u shprehur se vunë kujën për integrimin teksa më herët patën predikuar që anëtarësimi ishte larg.
“Këta janë në rastin më të mirë qesharakë, në rastin më të keq janë, jo vetëm injorantë, por janë dhe shumë të ligj. Por, unë ju siguroj që asnjë mënyrë që rruga jonë drejt anëtarësimit nuk është bllokuar dhe nuk do bllokohet për këtë shkak”, tha Rama.
Ai u shpreh se me disa partnerë ka pasur një diskutim konstruktiv, pasi ata kanë një qasje tjetër ndaj imunitetit në vendet e tyre.
“Në vendet e tyre nuk fillon dot asnjë hetim pa marrë një herë autorizimin e parlamentit. Ne nuk kemi imunitet të kësaj natyre në Shqipëri. Ne kemi vetëm garanci për mbrojtjen e lirisë së deputeteve dhe kaq”, tha Rama.
Rritja e çmimeve të naftës, Rama: E pashmangshme për shkak të luftës, po ndodh në të gjithë botën
Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te rritja e çmimit të karburantit për shkak të luftës në Iran. Ai u shpreh se kjo rritje është e pashmangshme dhe se po ndodh në të gjithë botën.
“Kjo është një rritje e pashmangshme në të gjitha tregjet botërore dhe po ndodh në të gjithë botën pikërisht si pasojë e këputjes së zinxhirit të vlerës që qarkullon në shkëmbimet tregtare në një pikë strategjike siç është ngushtica e Hormuzit”, tha Rama.
Ai bëri me dije se Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave kanë ngritur një task forcë të përbashkët për rritjen e kontrolleve dhe parandalimin e çdo rritjeje abuzive. Ai u shpreh se zinxhiri i tregtimit të karburanteve do të jetë në monitorim të vazhdueshëm.
“Besoj shumë se ky do të jetë një moment kthese për të përmbushur edhe një tjetër ambicie dhe zotim të marrë menjëherë me nisjen e mandatit të katërt, që nafta që tregtohet në Shqipëri, të jetë një produkt në një nivel të pandikuar kaq fort nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare dhe kjo është plotësisht e mundur. Paralelisht, Ministrja e Ekonomisë ka ngritur një task forcë të përbashkët me Ministrin e Financave, duke vënë në veprim administratën tatimore dhe doganore, nga njëra anë, me qëllim rritjen e kontrollit në tregun e hidrokarbureve dhe parandalimin e çdo rritje abuzive të çmimeve të karburanteve dhe nga ana tjetër për të studiuar me shpejtësi edhe një ndikim mbi fenomenin abuziv të rritjes së çmimit të ushqimeve. Ky grup propocional do të fokusohet me një plan të detajuar në gjithë zinxhirin e tregtimit të karburanteve, si në shumicë, ashtu dhe në pakicë, ndërsa çmimet do jenë nën monitorim të vazhdueshëm nga institucionet përkatëse. Po ashtu, projektligji për rezervat strategjike të naftës është tashmë në konsultim publik. Përkon me këtë situatë, por është një nismë e ndërmarrë kohë përpara krijimit të kësaj situate. Parashikon një krijim rezervash që shtrihet nga një në tre muaj, të naftës, por e thashë dhe më parë, ambicia jonë shkon përtej kësaj dhe besoj se në pak muaj, qytetarët do të mund të prekin fillimin e një ndryshimi të shumëpritur në tregun e karburanteve”, tha Rama./kb
