Kremlini hodhi poshtë raportimet se interesimi i presidentit amerikan për përfundimin e luftës në Ukrainë është në rënie. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Moska nuk pajtohet me një artikull të publikuar nga Financial Times, i cili sugjeronte se procesi i paqes për Ukrainën po zbehet pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po përqendrohet më shumë tek Irani.
Sipas Peskovit, deklaratat e fundit të Trump tregojnë të kundërtën. Ai theksoi se presidenti amerikan vazhdon të përmendë shpesh Ukrainën në prononcimet e tij dhe po ushtron presion ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për të arritur një marrëveshje.
“Referencat e shpeshta të Presidentit Trump për Ukrainën në deklaratat e tij të fundit tregojnë të kundërtën. Duke gjykuar nga këto deklarata, ai nuk ka humbur aspak interesin për negociatat dhe madje po e nxit Zelenskiyn të arrijë një marrëveshje”, tha Peskov.
Komentet e Kremlinit vijnë pasi Trump shprehu pakënaqësi ndaj presidentit ukrainas në një intervistë për Politico, duke thënë se Zelenskiy duhet të veprojë më shpejt për të arritur një marrëveshje.
Po ashtu, në një intervistë për NBC, Trump refuzoi ofertën e Ukrainës për të ndihmuar Shtetet e Bashkuara në rrëzimin e dronëve mbi vendet e Gjirit, duke deklaruar se “personi i fundit nga i cili na duhet ndihmë është Zelenskiy”.
Ndërkohë, Peskov theksoi se Rusia mbetet e interesuar për vazhdimin e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Megjithatë, sipas tij, ende nuk është përcaktuar një datë apo vend për raundin e ardhshëm të negociatave./mxh
