LIBAN/ FAMILJET E SHPËRNGULURA NË BEJRUT NË TENDË NË MES TË LUFTËS
Familjet e shpërngulura në qendër të Bejrutit po përballen me sfida të mëdha, duke jetuar në çadra “në shi dhe vapë”, sipas banorëve të prekur nga konfliktet që kanë përfshirë Libanin që nga fillimi i marsit.
Lufta në Lindjen e Mesme ka hyrë në një fazë të re më 2 mars, kur grupi Hezbollah nisi sulme ndaj Izraelit, duke thënë se synonte të hakmerrej për vrasjen e liderit suprem iranian. Izraeli ka nisur një ofensivë që ka shkaktuar më shumë se 800 viktima në Liban dhe ka detyruar mbi 800,000 persona të lënë shtëpitë e tyre.
Të hënën, forcat izraelite avancuan në pjesë të reja të Libanit jugor, duke sulmuar pozicionet e Hezbollahut dhe duke intensifikuar fushatën kundër grupit militant të mbështetur nga Irani.
Zyrtarë izraelitë thanë se në ditët në vijim priten bisedime mes Izraelit dhe Libanit për të siguruar një armëpushim të qëndrueshëm, i cili do të parashikonte de-arsenalizimin e Hezbollahut. Bejruti ka nisur formimin e një delegacioni për këto bisedime, por deri më tani nuk ka konfirmim për zhvillimin e takimit.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit të nëntorit 2024, Hezbollah duhej të tërhiqej nga jugu i Libanit dhe ushtria libaneze të merrte kontrollin, në këmbim të ndalimit të bombardimeve izraelite. Izraeli pohon se Libani nuk ka respektuar këtë marrëveshje dhe vazhdon të kryejë sulme ajrore pothuajse çdo ditë kundër pozicioneve dhe armëve të Hezbollahut.
Banorët e Bejrutit dhe familjet e shpërngulura vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira, ndërsa tensionet dhe sulmet në jug të vendit nuk tregojnë shenja uljeje./mxh
