Në një kohë kur procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian po hyn në një fazë gjithnjë e më intensive, informimi për publikun mbetet thelbësor. Në këtë kontekst, gazetarë dhe profesionistë të medias morën pjesë në trajnimin “Raportimi në mënyrë efektive mbi procesin e integrimit në BE”, i ofruar nga Kolegji i Evropës në kuadër të projektit “Mbështetja e Integrimit në Bashkimin Evropian (EUIS)”, i zbatuar nga DAI, Abkons dhe WeGlobal me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
Gjatë fazës së parë të trajnimit, të zhvilluar më 3 dhe 5 mars 2026, pjesëmarrësit diskutuan mbi institucionet e Bashkimit Evropian dhe mënyrën e funksionimit të vendimmarrjes së tyre, kuadrin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe strukturën e grup-kapitujve të negociatave. Në fokus ishte gjithashtu Plani i Rritjes i BE-së dhe bashkëpunimi rajonal. Një vëmendje e veçantë iu kushtua aftësive praktike për gjetjen dhe verifikimin e informacionit të besueshëm mbi BE-në, si dhe mënyrave për ta shpjeguar këtë informacion në raportime të thjeshta dhe të kuptueshme për publikun.
Anëtarësimi në BE nuk është vetëm një proces teknik apo politik, ai përfaqëson një transformim të gjerë institucional dhe shoqëror. Në këtë kontekst, roli i medias është thelbësor për të përkthyer zhvillimet komplekse ligjore dhe institucionale në informacion të qartë për qytetarët, duke kontribuar në transparencë, llogaridhënie dhe në një debat publik të bazuar në fakte.
Trajnimi është pjesë e një programi me dy faza. Ndërsa faza e parë u fokusua në krijimin e një baze të përbashkët njohurish mbi procesin e integrimit, faza e dytë, e planifikuar për pranverën e këtij viti, do të trajtojë tema më teknike, të përshtatura sipas prioriteteve të identifikuara nga vetë gazetarët pjesëmarrës.
Projekti EUIS është një nismë strategjike për të mbështetur rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Projekti ofron asistencë për strukturat negociuese dhe të gjitha institucionet publike të përfshira në procesin e anëtarësimit në BE. Nëpërmjet ekspertizës së ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, projekti mbështet procesin e negociatave, përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe shfrytëzimin e mundësive që ofron Plani i Rritjes i BE-së.
Gjithashtu, projekti synon të forcojnë komunikimin dhe transparencën mes qeverisë dhe aktorëve joshtetërorë, përfshirë shoqërinë civile, botën akademike, bizneset, të rinjtë dhe qytetarët. Përpjekjet e përbashkëta do të synojnë të shpjegojnë procesin e negociatave, si dhe ndikimin e anëtarësimit në BE. Në këtë drejtim, media luan një rol kyç në informimin e qytetarëve dhe në shpjegimin e hapave që shoqërojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian./kb
