Gjermania dëshiron të shohë një ndryshim brenda Iranit, por sipas ministrit të Jashtëm, Johann Wadephul, kjo nuk mund të arrihet përmes sulmeve ushtarake nga jashtë.
Në një konferencë për shtyp të mërkurën (18 mars) në Berlin, Wadephul theksoi se regjimi aktual është brutal dhe i pamëshirshëm dhe një ndryshim i tij është i dëshirueshëm, por duhet të vijë nga brenda vendit. Ai shtoi se ka shenja pozitive dhe se Gjermania është në dialog me opozitën iraniane.
Ministri gjerman i Jashtëm gjithashtu bëri thirrje për një rol të veçantë të Evropës në krizën në Lindjen e Mesme dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit Franco-Gjerman.
Nga ana e saj, Jean-Noel Barrot, ministri i Jashtëm francez, u shpreh se është thelbësore të ketë një ulje të menjëhershme të tensioneve dhe një ndalim të armiqësive, duke paralajmëruar për rreziqet që një përshkallëzim ushtarak mund të sjellë për interesat e Evropës, sigurinë e qytetarëve dhe ekonominë globale.
Për sa i përket situatës në Ukrainë, të dy ministrat theksuan mbështetjen e pakushtëzuar për popullin ukrainas përballë agresionit rus, duke vënë theksin tek koordinimi ushtarak, financiar dhe humanitar për të forcuar rezistencën e vendit.
Ky qëndrim i përbashkët francezo-gjerman synon të forcojë rolin e Evropës në zgjidhjen e krizave ndërkombëtare dhe të mbështesë paqen dhe stabilitetin në rajon./mxh
