Liderët e Bashkimit Evropian po rrisin presionin ndaj Hungarisë për të zhbllokuar një paketë financiare prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila synon të mbështesë Kievin në luftën kundër Rusisë.
Kryeministri belg, Bart De Wever, deklaroi se Evropa duhet të vazhdojë mbështetjen financiare dhe të rrisë presionin ndaj Moskës, por njëkohësisht të ketë rol në tryezën e negociatave.
“Ne nuk duhet të blejmë gaz rus dhe duhet të mbështesim plotësisht Ukrainën, por nëse po financojmë luftën, duhet të jemi pjesë e negociatave,” u shpreh ai.
Ndërkohë, kryeministri holandez, Rob Jetten, theksoi se kredia është thelbësore për të ndihmuar Ukrainën të përballojë dimrin e ardhshëm, duke kërkuar që vendimet e marra në nivel evropian të respektohen nga të gjitha shtetet anëtare.
Ai shtoi se aktualisht prioritet mbetet ulja e tensioneve, duke përjashtuar për momentin një mision të mundshëm evropian në Ngushticën e Hormuzit.
Nga ana tjetër, kryeministri finlandez, Petteri Orpo, kritikoi ashpër homologun hungarez Viktor Orban, duke e akuzuar se po përdor çështjen e Ukrainës për interesa elektorale dhe se ka thyer marrëveshjen mes vendeve të BE-së.
Edhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson, e cilësoi të papranueshme bllokimin nga Hungaria të vendimeve të dakordësuara më parë, duke theksuar se prioritet mbetet dërgimi i fondeve që Ukraina i ka jetike.
Bllokimi i kredisë nga Hungaria lidhet me një mosmarrëveshje për një tubacion nafte të dëmtuar nga lufta, ndërsa liderët evropianë po kërkojnë zgjidhje të shpejta për të tejkaluar krizën.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian po përballet edhe me rritjen e çmimeve të energjisë, të nxitura nga tensionet e fundit në Lindjen e Mesme, duke e bërë edhe më urgjente arritjen e një marrëveshjeje./mxh
