Grupi i njohur i muzikës K-pop, BTS, është rikthyer në skenën muzikore me albumin e tyre më të ri, të titulluar “ARIRANG”, i publikuar këtë të premte, më 20 mars.
Ky është albumi i parë i grupit pas më shumë se tre vitesh, periudhë gjatë së cilës anëtarët e BTS ndërprenë aktivitetin për të përmbushur shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Korenë e Jugut.
Albumi i pestë në studio përmban 14 këngë, mes tyre edhe këngën kryesore “SWIM”, si dhe bashkëpunime me emra të njohur të industrisë muzikore ndërkombëtare si Diplo, Ryan Tedder dhe Mike WiLL Made-It.
Publikimi i albumit vjen vetëm një ditë përpara një koncerti special që grupi do të mbajë në sheshin Gwanghwamun në Seul, i cili do të transmetohet drejtpërdrejt për fansat në mbarë botën përmes platformës Netflix.
Përveç kësaj, BTS kanë njoftuar edhe nisjen e një turi botëror me titull “BTS WORLD TOUR ARIRANG”, i cili do të fillojë më 9 prill në stadiumin Goyang në Korenë e Jugut.
Turneu pritet të përfshijë 33 qytete në Azi, Amerikën e Veriut, Evropë, Amerikën Latine dhe Australi, duke shënuar një nga rikthimet më të mëdha në skenën globale të muzikës pop.
Rikthimi i BTS është pritur me entuziazëm të madh nga fansat, duke shënuar një moment të rëndësishëm për industrinë e muzikës K-pop./mxh
