Cikloni tropikal i fuqishëm Narelle goditi këtë të premte brigjet verilindore të Australia, duke sjellë erëra shkatërruese, reshje të dendura shiu dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Stuhia preku tokën në rajonin e Far North Queensland si një ciklon i kategorisë katër, me erëra që arritën deri në 195 kilometra në orë. Më pas, ajo u dobësua në kategori tre ndërsa avancoi drejt brendësisë së territorit, por autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë.
Sipas autoriteteve lokale, cikloni goditi një zonë të largët rreth 550 kilometra në veri të Cairns, një pikë e rëndësishme hyrëse për rajonin dhe për Great Barrier Reef.
Kryeministri i Queensland-it, David Crisafulli, deklaroi se raportimet fillestare tregojnë për disa dëmtime strukturore dhe pemë të rrëzuara në zonën e Coen, por deri tani ndikimi ka qenë relativisht i kufizuar.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda, ndërsa ekipet e emergjencës, përfshirë shërbimet shëndetësore dhe ekipet e energjisë, janë vendosur në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje.
Ndërkohë, Byroja e Meteorologjisë paralajmëron se reshjet dhe erërat e forta do të vazhdojnë të prekin pjesë të veriut të Queensland-it edhe në orët në vijim./mxh
