Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Denis Deliu, ka komentuar ndryshimet e fundit në strukturat drejtuese të PS-së, të ndërmarra nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë së partisë.
I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjana, Deliu i cilësoi këto lëvizje si të mirëmenduara dhe të bazuara në analizën e rezultateve zgjedhore.
Sipas tij, Partia Socialiste vijon të jetë një forcë e konsoliduar në terren, ndërsa riorganizimi aktual ka për qëllim forcimin e mëtejshëm të saj për garat e ardhshme elektorale.
“Kryeministri është një njeri që ka ditur të udhëheqë PS për katër mandate drejt fitores. PS është shumë e fortë, e organizuar në terren dhe ka dëshmuar se rritja e saj nuk është rastësore,” u shpreh Deliu.
Ai theksoi se vendimmarrjet në parti janë rezultat i analizave të detajuara nga drejtuesit, duke përfshirë edhe lëvizjet e individëve në pozicione të caktuara.
“Janë logaritjet e duhura që kryeministri dhe Kryesia bën. Edhe lëvizja e individëve ka këtë qëllim: vendosjen e njerëzve të duhur në pozicionet e duhura,” tha ai.
Deliu nënvizoi gjithashtu se proceset zgjedhore ndihmojnë në evidentimin e problematikave të brendshme të partisë, duke i dhënë mundësi strukturave të reflektojnë dhe të përmirësohen.
Duke u ndalur te rasti i Fierit, ai vlerësoi punën e Belinda Balluku, duke e cilësuar si një drejtuese të suksesshme, bazuar në rezultatet e arritura në këtë qark.
Në përfundim, Deliu theksoi se Partia Socialiste ka shënuar rritje të mbështetjes elektorale, duke përmendur edhe rezultatin prej 83 mandatesh si një tregues të besimit të qytetarëve.
