Last Updated on 23/11/2026 by Anisa
Detaje të tjera dalin në dritë nga vrasja e Selami Hasnit dhe plagosjen e vëllait të tij Jakup Hasani në lagjen “1 Maji”, në Fier.
Referuar burimeve nga vendngjarja, gazetarja Valbona Davidhi raporton se familja Hasani ishte në hasmëri. Viktima kishte një javë që ishte liruar nga burgu, pasi kishte vuajtur dënimin me 17 vjet burg për vrasjen e Julian Isufajt, nipi i Arben Isufajt.
Selami Hasani, i njohur gjerësisht me nofkën “Sel Çami”, është një nga personazhet që është përmendur ndër vite në kronikën e zezë të qytetit të Fierit.
Emri i tij është lidhur me një histori të gjatë konfliktesh, atentatesh dhe përplasjesh mes grupeve kriminale, të cilat për dekada kanë mbajtur të tensionuar qytetin dhe kanë prodhuar viktima të shumta.
Kush ishte viktima?
Historia e tij nuk mund të shkëputet nga përplasja e njohur me familjen Isufaj, një hasmëri që nisi në vitet ’90 dhe që, sipas raportimeve dhe dosjeve të hetimit, u shndërrua në një zinxhir ngjarjesh të rënda kriminale. Në qendër të kësaj historie qëndrojnë emra të njohur të kronikës së Fierit, mes tyre Arben Isufaj, i njohur si “Ben Qimja”.
Zanafilla e hasmërisë, konflikti që nisi në vitin 1994.
Në fillim të viteve ’90, Selami Hasani konsiderohej një prej personazheve me ndikim në botën e krimit në Fier. I njohur edhe si “Seli i Malit”, ai kishte krijuar një rreth njerëzish me të cilët shoqërohej dhe që përmenden në kronikat e kohës si pjesë e grupit të tij.
Në atë periudhë, Arben Isufaj dhe Selami Hasani njiheshin me njëri-tjetrin. MadjePor marrëdhënia do të prishej pas një konflikti të ndodhur në fillim të vitit 1994.
Arben Isufaj, në atë kohë ende larg profilit që do të merrte më vonë në kronikën e zezë, u përfshi në një përplasje me Pirro Koçiun dhe dy kushërinj me mbiemrin Yzeiri, të cilët në zonë njiheshin si njerëz të afërt me Sel Çamin.
Babai i Arben Isufajt, Enver Isufaj, ndërhyri për të zgjidhur konfliktin. Por përpjekjet për të shuar përplasjen nuk patën sukses. Enver Isufaj u vra në një bilardo pranë banesës së tij, në zonën e Sheqit, në Fier.
Në dosjet dhe dëshmitë e përmendura në raportimet mediatike, për këtë vrasje janë hedhur dyshime ndaj Pëllumb Yzeirajt dhe Vladimir Hasanit, vëllait të Selami Hasanit. Një dëshmi e dhënë disa vite më vonë nga Bledar Kastrati do të risillte në vëmendje këtë ngjarje dhe do të lidhte konfliktin e vitit 1994 me atentatet që pasuan.
Vrasja e Enver Isufajt shënoi pikën e kthesës. Përplasja mes dy rretheve familjare do të merrte përmasat e një hasmërie të gjatë, ku hakmarrja do të shndërrohej në një nga motivet kryesore të ngjarjeve të rënda që tronditën Fierin.
Vritet vëllai i Sel Çamit, konflikti merr përmasa të tjera
Në vitin 1998, përplasja mori një tjetër drejtim. Vladimir Hasani, vëllai i Selami Hasanit, u ekzekutua në qendër të Fierit, teksa udhëtonte me automjet.
Vrasja e tij u konsiderua një tjetër episod i rëndësishëm në historinë e hasmërisë. Vladimir Hasani ishte përmendur si i dyshuar për vrasjen e Enver Isufajt, por kjo ngjarje nuk u zbardh përfundimisht.
Ndërkohë, në vitin 2001, në Spanjë u vra Pajtim Yzeiri, i cili në raportimet e kohës është përmendur si person që dyshohej se kishte pasur lidhje me vrasjen e Enver Isufajt. Dyshimet për vrasjen e tij u drejtuan nga hetuesit dhe raportimet mediatike drejt rrethit të familjes Isufaj.
Vetëm disa muaj më vonë, në mars të vitit 2002, një tjetër atentat i përgjakshëm do të trondiste qendrën e Fierit. Këtë herë viktimë do të ishte Julian Isufaj, kushëri i Arben Isufajt.
Masakra e 25 marsit 2002 në qendër të Fierit
Më 25 mars 2002, në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit të Fierit, ndodhi një prej atentateve më të rënda të lidhura me këtë hasmëri. Julian Isufaj ndodhej në automjet së bashku me Bledar Kastratin. Ata kishin ndaluar pranë sheshit të njohur si “Valuta”, në zonën ku kryhej këmbimi i parave.
Në atë moment, një automjet tjetër u afrua pranë tyre. Nga makina zbriti një person i armatosur me kallashnikov dhe hapi zjarr në drejtim të automjetit ku ndodhej Julian Isufaj.
Të shtënat ishin fatale për të. Por atentati nuk u mori jetën vetëm personave që dyshohej se ishin objektivi i sulmit. Nga plumbat mbeti i vrarë edhe kambisti Esat Tare, ndërsa Bledar Kastrati dhe kalimtari Taip Sulaj mbetën të plagosur.
Sipas dosjes hetimore të bërë publike në raportimet e mëvonshme, në këtë ngjarje u përfshinë Selami Hasani, Pëllumb Yzeiraj dhe Kujtim Hasanbasha.
Një prej dëshmive kryesore ishte ajo e Bledar Kastratit, i cili i mbijetoi atentatit. Në dëshminë e tij, ai tregoi se Julian Isufaj kishte arritur të dallonte një prej personave që po qëllonin dhe kishte shqiptuar emrin e Pëllumbit.
Pas atentatit, autorët u larguan nga vendngjarja, ndërsa policia nisi hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar.
Për Selami Hasanin, kjo ngjarje do të sillte një proces të gjatë gjyqësor dhe një dënim të rëndë.
Shtatë vite në kërkim, arrestimi nga RENEA
Pas atentatit të marsit 2002, Selami Hasani u largua nga Shqipëria. Sipas kronikave të kohës, ai dyshohej se ishte arratisur drejt Italisë, ku qëndroi për disa vite. Pas vitit 2005, ai ishte kthyer në Fier, por vijonte t’i shmangej drejtësisë.
Për kapjen e tij u ndërmorën disa operacione policore, të cilat, sipas raportimeve të mëvonshme, nuk arritën të finalizoheshin. Hasani ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe emri i tij ndodhej edhe në listën e personave të kërkuar të Interpolit.
Operacioni që çoi në arrestimin e tij u zhvillua më 12 gusht 2009. Forcat speciale RENEA, në bashkëpunim me Policinë e Fierit, rrethuan banesën ku ai qëndronte në lagjen “1 Maji”.
Arrestimi nuk ishte i lehtë. Në momentin e ndërhyrjes, Hasani tentoi të largohej nga pjesa e pasme e banesës, por u neutralizua nga efektivët e policisë. Gjatë operacionit iu sekuestruan edhe dy pistoleta, njëra e tipit TT dhe tjetra Zastava.
Në atë kohë, 43-vjeçari ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për ngjarjen e rëndë të 25 marsit 2002 në Fier, ku mbetën të vrarë Julian Isufaj dhe Esat Tare.
Pas 11 vitesh në burg, rikthehet në liri
Pavarësisht dënimit me 25 vite burg, Selami Hasani nuk do ta vuante të gjithë këtë periudhë pas hekurave. Në fund të vitit 2021, pas rreth 11 vitesh qëndrimi në qeli, ai la burgun.
Lirimi i tij u bë publik në shtator të vitit 2022 i cili riktheu në vëmendje historinë e grupeve kriminale në Fier dhe përplasjet që kishin tronditur qytetin gjatë tri dekadave.
Kështu, një prej emrave më të njohur të kësaj historie kriminale u rikthye në qarkullim, pas një periudhe të gjatë larg jetës publike.
Fieri dhe historia e hasmërive që zgjatën tri dekada.
Historia e Selami Hasanit është vetëm një pjesë e një panorame shumë më të gjerë të kriminalitetit në Fier, ku përplasjet mes grupeve dhe familjeve kanë prodhuar vrasje, atentate dhe viktima të pafajshme.
Në analizat e publikuara për këtë qytet, gazetarë investigativë dhe ish-zyrtarë të policisë kanë folur për mënyrën se si grupet kriminale kanë ndërtuar ndikimin e tyre, shpesh përmes lidhjeve familjare, aleancave dhe kontrollit të aktiviteteve të paligjshme.
Në këtë kontekst, emri i Selami Hasanit, i njohur si “Sel Çami” apo “Seli i Malit”, mbetet i lidhur me një prej kapitujve më të përgjakshëm të kronikës së Fierit: konfliktin që nisi në vitin 1994 dhe që u pasua nga një seri vrasjesh, deri te atentati i marsit 2002 në qendër të qytetit.
Një histori që dëshmon se si një konflikt i nisur mes personave të njohur mund të shndërrohet në një zinxhir të gjatë hakmarrjeje, ku pasojat nuk kufizohen vetëm te protagonistët, por prekin edhe njerëz të rastësishëm./ad
