Protesta e zhvilluar më 22 mars në Tiranë nga mbështetës të Partisë Demokratike u shoqërua me tensione dhe përplasje me forcat e rendit, duke sjellë arrestime dhe persona të lënduar.
Sipas Policisë së Shtetit, 14 persona janë arrestuar pas akteve të dhunës gjatë tubimit, ndërsa 9 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Mes të shoqëruarve ka pasur edhe të mitur, të cilët janë lënë të lirë.
Protesta, e cila zgjati mbi tre orë, nisi pa fjalime, por me hedhje molotovësh dhe fishekzjarresh në drejtim të institucioneve shtetërore. U shënjestruan godina e Kryeministrisë, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Brendshme dhe zona pranë Bankës së Shqipërisë, ku ndodhet selia e Partisë Socialiste, pa arritur depërtim në këto objekte.
Protestuesit, të udhëhequr nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk arritën të shkojnë drejt Parlamentit për shkak të kordonëve të policisë që bllokuan lëvizjen e turmës.
Gjatë përplasjeve, molotovët dhe mjetet piroteknike shkaktuan lëndimin e 6 efektivëve të policisë, të cilët po marrin trajtim në QSUT dhe në Spitalin e Traumës. Po ashtu, u dogj një automjet policie dhe u dëmtua një autobot uji.
Nga ana e saj, Policia e Shtetit ndërhyri me autobotë uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Gjatë protestës u lëndua edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili u prek nga spray në sy dhe pati vështirësi në frymëmarrje. Ai u largua përkohësisht drejt banesës së tij, për t’u rikthyer më pas me maskë kundër gazit lotsjellës.
Pas përfundimit të tubimit, Berisha mbajti një fjalim, ku deklaroi se protesta e radhës “do të jetë edhe më e shkëlqyer”. Më pas, ai vizitoi në spital protestuesit e lënduar, duke pretenduar se një prej tyre ishte goditur pa kryer veprime të dhunshme.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vizitoi efektivët e plagosur në Spitalin e Traumës.
Hetimet për identifikimin dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë në aktet e dhunës janë në vijim./A.D
