Pas sistemit të IT-së së Kuvendit, hakerat iranianë kanë goditur sistemet e Postës Shqiptare.
Në një njoftim të bërë në Telegram nga “Homeland Justice” thuhet se Posta Shqiptare u sulmua “për shkak të bashkëpunimit të saj të vazhdueshëm me terroristët e Muxhahedinëve”.
Ndër të tjera thuhet se veprimet e ardhshme të tyre do të jenë më të kushtueshme.
“Posta Shqiptare u sulmua nga Patriotët e Drejtësisë së Atdheut për shkak të bashkëpunimit të saj të vazhdueshëm me terroristët e Muxhahedinëve dhe lehtësimit të akteve të këtij grupi.
Zyrtarët e korruptuar të Postës Shqiptare, të cilët ua kanë dhënë autoritetin e plotë pedofilëve të regjimit Epstein dhe nuk kanë asnjë liri veprimi dhe pavarësi të tyre, janë kthyer në shërbëtorë dhe skllevër të papaguar të terroristëve të Kampit Ashraf 3 për disa muaj.
Drejtësia e Atdheut e konsideroi detyrën e saj të ndërmarrë veprime kundër këtij institucioni të korruptuar në qeveri. Veprimet tona të ardhshme do të jenë më të vështira, më shkatërruese dhe më të kushtueshme”, thuhet në njoftimin e “Homeland Justice”./mxh
