Presidenti rus, Vladimir Putin, u bëri thirrje kompanive dhe qeverisë që të tregojnë kujdes në menaxhimin e të ardhurave shtesë nga rritja e çmimeve të naftës, në një kohë kur tregjet globale mbeten të paqëndrueshme.
Gjatë një takimi me drejtues biznesesh në Moskë, Putin paralajmëroi se rritja e çmimeve të eksporteve tradicionale mund të krijojë tundimin për të përfituar në afat të shkurtër, duke shpërndarë fitimet në formë dividentësh apo duke rritur shpenzimet buxhetore.
Ai theksoi se një qasje e tillë mund të jetë e rrezikshme, duke qenë se tregjet janë të paparashikueshme dhe mund të ndryshojnë drejtim në çdo moment.
Presidenti rus kërkoi një politikë të matur dhe konservatore, si në sektorin privat ashtu edhe në financat publike, duke nënvizuar se qeveria do të ndjekë këtë linjë në menaxhimin e buxhetit, ndërsa do të vijojë të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur rritja e çmimeve të naftës, pas konfliktit në Lindjen e Mesme, ka sjellë përfitime të konsiderueshme për ekonominë ruse./MXH
