Slovakia ka shfaqur interes për të marrë gaz nga projekti rumun offshore, Neptun Deep, pasi importet e saj të gazit dhe naftës nga Rusia pritet të ndalen në vitin 2027, njoftoi të premten Kryeministri slovak Robert Fico.
Fico tha se Slovakia ofron të përdorë infrastrukturën ekzistuese dhe do të blejë gaz “në bazë komerciale”, gjatë një deklarate televizive me Kryeministrin rumun Ilie Bolojan në Bukuresht.
Projekti Neptun Deep, një nga depozitat më të mëdha të gazit në Bashkimin Evropian, ka rreth 100 miliardë metra kub gaz të rikuperueshëm dhe menaxhohet nga grupi rumun i naftës dhe gazit OMV Petrom dhe prodhuesi shtetëror i gazit Romgaz. Pritet që projekti të nisë furnizimin e parë me gaz në vitin 2027.
Edhe Hungaria dhe Gjermania janë shfaqur të interesuara për gazin nga ky projekt, megjithëse autoritetet rumune shpresojnë që ekonomia e vendit të shfrytëzojë sa më shumë të jetë e mundur nga depozita.
Slovakia ka mbetur e varur nga furnizimet ruse me energji pavarësisht përpjekjeve të BE-së për të ndërprerë varësinë nga Moska pas sulmit rus në Ukrainë në 2022. Bashkimi Evropian planifikon të ndalojë importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027./mxh
