Pentagoni po përgatitet për operacione tokësore në Iran që do të zgjasin disa javë, raportoi gazeta Washington Post, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Sipas gazetës amerikane, planet mund të përfshijnë bastisje nga Operacionet Speciale dhe trupa të këmbësorisë.
Mbetet e paqartë nëse Trump do të miratojë ndonjë nga këto plane.
Ndërsa lufta ka hyrë në javën e pestë, Uashingtoni ka dërguar mijëra marinsa në Lindjen e Mesme. Ushtria amerikane njoftoi se kontingjenti i parë mbërriti në rajon me një anije sulmi amfibe të premten dhe një kontingjent i dytë pritet të mbërrijë së shpejti.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të premten se SHBA-të mund të arrijnë qëllimet e tyre pa trupa tokësore, por se po vendosin disa në rajon në mënyrë që Trump të ketë fleksibilitet maksimal për të përshtatur strategjinë.
Ndërkohë, rreziku i një lufte të zgjeruar është rritur me përfshirjen edhe të Huthëve të Jemenit, të cilët nisën të shtunën sulmet e para ndaj Izraelit që nga nisja e konfliktit.
Ushtria izraelite tha të dielën se kishte shënjestruar infrastrukturën e prodhimit të armëve të Teheranit, duke përfshirë dhjetëra vende magazinimi dhe prodhimi një ditë më parë. Si pasojë janë raportuar disa viktima.
Irani gjithashtu është kundërpërgjigjur me sulme ndaj Izraelit dhe vendeve të tjera të Gjirit, duke goditur infrastrukturën.
Pakistani, një ndërmjetës i mundshëm midis Uashingtonit dhe Teheranit, organizon dy ditë bisedime duke nisur nga kjo e diel, me ministrat e jashtëm të Arabisë Saudite, Turqisë dhe Egjiptit, në kërkim të mënyrave për të lehtësuar tensionet rajonale, një ditë pasi presidenti iranian Masoud Pezeshkian foli me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif.
Irani ka qenë duke shqyrtuar propozimin amerikan prej 15 pikash, i cili parashikon çmontimin e programit bërthamor të Iranit, frenimin e zhvillimit të raketave dhe dorëzimin efektiv të kontrollit të Ngushticës së Hormuzit./kb
