Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se Patriarku Latin i Jerusalemit tani do të ketë qasje të plotë dhe të menjëhershme në Kishën e Varrit të Shenjtë, pasi policia e pengoi atë të kremtonte Meshën e së Dielës së Palmave atje.
Kardinali Pizzaballa dhe Reverendi Francesco Ielpo u ndaluan jashtë kishës që besohet të jetë vendi i kryqëzimit të Jezu Krishtit, ndërsa po planifikonin të mbanin një Meshë për të shënuar fillimin e Javës së Shenjtë, thanë autoritetet e kishës.
Zyra e Kardinalit Pizzaballa tha se ishte hera e parë në shekuj që një Patriark Latin ishte larguar nga vendi i shenjtë të Dielën e Palmave, e cila shënon kthimin e Krishtit në Jerusalem.
“Ky incident është një precedent i rëndë dhe shpërfill ndjeshmërinë e miliarda njerëzve në mbarë botën, të cilët gjatë kësaj jave shikojnë nga Jerusalemi. Ky vendim i nxituar dhe thelbësisht i gabuar, i ndotur nga konsiderata të papërshtatshme, përfaqëson një largim ekstrem nga parimet themelore të arsyeshmërisë, lirisë së adhurimit dhe respektit për status quo-në”, thuhet në një deklaratë nga patriarkati.
Patriarkana tha se kishte ndjekur të gjitha kufizimet e vendosura dhe kishte vepruar me përgjegjësi që nga fillimi i luftës, duke shtuar se vendimi i së dielës ishte një masë qartësisht e paarsyeshme dhe jashtëzakonisht disproporcionale.
Netanyahu nga ana tjetër, u shpreh se besimtarëve të të gjitha besimeve fetare u ishte kërkuar të mos vizitonin vende në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, i cili kishte qenë subjekt i sulmeve nga Irani, dhe se policia kishte vepruar për shqetësime të veçanta sigurie në këtë rast.
Procesioni tradicional i së Dielës së Palmave në qytet ishte anuluar tashmë për shkak të kufizimeve në tubimet publike. Policia izraelite tha se të gjitha vendet e shenjta në Qytetin e Vjetër ishin mbyllur për besimtarët që kur filloi lufta SHBA-Izrael kundër Iranit më 28 shkurt për arsye sigurie dhe se kishte refuzuar kërkesën e patriarkatit për një përjashtim nga e Diela e Palmave.
Netanyahu tha se vendet e shenjta që u përkasin besimtarëve të krishterë, hebrenj dhe myslimanë ishin shënjestruar vazhdimisht nga sulmet raketore iraniane ditët e fundit. Ndërkohë në orët e vona të ditës së djeshme, kryeministri izraelit njoftoi se kishte udhëzuar autoritetet përkatëse që t’i jepnin Patriarkut Latin qasje të plotë dhe të menjëhershme në Kishën e Varrit të Shenjtë, në mënyrë që ai të mund të mbajë shërbesa sipas dëshirës.
Vendimi për të bllokuar hyrjen e kardinalit në vendin më të shenjtë të krishterimit ishte kritikuar nga disa vende perëndimore. Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, tha se ishte një vendim i vështirë për t’u kuptuar ose justifikuar.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni reagoi lidhur me incidentin dhe tha se ky veprim ishte një ofendim jo vetëm kundër besimtarëve, por kundër çdo komuniteti që njeh lirinë fetare, ndërsa Ministri i Jashtëm Antonio Tajani tha se kishte thirrur ambasadorin e Izraelit në Itali për shpjegime.
Presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu e dënoi këtë veprim dhe tha se ai erdhi në kontekstin e rritjes shqetësuese të shkeljeve të statusit të Vendeve të Shenjta në Jerusalem. /kb
