Guvernatori republikan i Floridës, Ron DeSantis, nënshkroi të hënën (31 mars) ligjin për të ndryshuar emrin e Aeroportit Ndërkombëtar të Palm Beach në atë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ky është hapi më i fundit në një seri institucione, ndërtesash, programesh qeveritare, anijesh lufte dhe madje paraje që mbajnë emrin e Trump.
Vendimi vjen pas miratimit vitin e kaluar të një plani për dhurimin e një prone në qendër të Miami për bibliotekën presidenciale të Trump.
Trump, i lindur në New York, u zhvendos në Florida në 2019 dhe aktualisht jeton kryesisht në resortin e tij Mar-a-Lago në West Palm Beach.
Para se të ndryshohet emri zyrtarisht, duhet bërë një kërkesë te Administrata Federale e Aviacionit, e cila do të përditësojë të dhënat në kartat e fluturimeve dhe tabelat e aeroportit.
Së fundmi, ligjvënësi Brian Mast propozoi që kodi tre-shkronjësh i aeroportit të ndryshohet nga PBI në DJT, sipas inicialeve të Trump.
Emri i tij tashmë është përdorur edhe për anije të Marinës Amerikane, një program vizash për të pasurit, një faqe qeveritare për ilaçe me recetë, llogari kursimi federale për fëmijë, si dhe disa institucione të tjera kulturore dhe qeveritare./mxh
