Sot është afati i fundit për plotësimin dhe dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA) që plotësohet prej individëve. Deri tani sipas të dhënave të publikuara nga administrata tatimore janë plotësuar 145,254 deklarata DIVA nga individët.
31 Marsi, është dita e fundit edhe për dorëzimin e deklaratës për bizneset dhe korporatat. Deri tani në total për kategorinë e bizneseve janë plotësuar 102,840 deklarata dhe 28,812 deklarata nga korporatat.
Me qëllim shmangien e penaliteteve administrata tatimore, ka kujtuar tatimpaguesit për plotësimin e këtij detyrimi.
Nga institucionet shtetërore nuk parashikohet shtyrje të afatit ligjor për plotësimin dhe dorëzimin e DIVA sipas sqarimeve të dhëna nga administrata tatimore për “Monitor”.
Në rast të kundërt për deklarim të vonuar, sipas parashikimeve ligjore tatimpaguesit penalizohen me gjobë vjetore në masën 3 mijë lekë.
Përtej afatit ligjor deri në fund të prillit, siç Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Ilir Binaj deklaroi më herët gjatë një konference për shtyp numri i deklaruesve në total parashikohet të arrijë në 180 mijë.
“Administrata Tatimore rikujton dhe inkurajon të gjithë tatimpaguesit që të dorëzojnë deklaratat tatimore vjetore për vitin 2025 përpara afatit të fundit, 31 mars 2026, për të shmangur vonesa apo vështirësitë e mundshme si rrjedhojë e fluksit të lartë në sistem gjatë ditëve të fundit të deklarimit.
Personat fizikë që dorëzojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave nga Biznesi (TAPB);
Personat juridikë që dorëzojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave të Korporatës (TAK);
Individët që dorëzojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DVAP – DIVA).
Tatimpaguesit duhet të kenë parasysh se këtë vit, për herë të parë, afati i deklarimit është unifikuar për të gjitha deklaratat tatimore vjetore në datën 31 mars 2026.
Deklarimi i hershëm është i rëndësishëm sepse:
Shmang mbingarkesën e sistemit në ditët e fundit, kur ka fluks të lartë përdoruesish;
Shmang penalitetet për mosdeklarim apo deklarim të vonuar, si dhe siguron pagesën në afat të detyrimeve, kur lind një i tillë;
Garanton përmbushjen e detyrimeve ligjore sipas legjislacionit tatimor në fuqi.
Për çdo informacion apo asistencë, mund të kontaktoni Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 0002.
Administrata Tatimore vlerëson bashkëpunimin dhe angazhimin tuaj për përmbushjen në kohë të detyrimeve tatimore për të shmangur penalitetet që rrjedhin nga mosdeklarimi apo deklarimi i vonuar.”/Mxh
