Ernest Muçi ka dhënë sinjale pozitive për rikthimin në fushë për derbin ndaj Galatasaray-t, pavarësisht një dëmtimi të pësuar me Kombëtaren.
Sulmuesi i Trabzonsporit vuan nga një edemë në pjesën e pasme të kofshës. Problemi fizik u shfaq pas ndeshjes së “play-off”-it ndaj Polonisë, ku ai u aktivizua si zëvendësues.
Një ditë më pas ndjeu dhimbje dhe analizat konfirmuan ënjtjen muskulore. Për këtë arsye, 25-vjeçari mungoi në miqësoren ndaj Ukrainës.
Pas rikthimit në klub, gjendja e tij është përmirësuar dhe lojtari ka kërkuar të luajë në derbi. Muçi ka deklaruar se dëshiron të jetë në fushë në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.
Vendimi final për aktivizimin e tij do të merret nga stafi mjekësor në ditët para ndeshjes./mxh
