Nevojitet një përpjekje e madhe për të zhbërë dëmet pasi presidenti i SHBA-së të jetë larguar. Por, meqë kushtetuta nuk është në gjendje ta vërë në rregull tani, kjo është ajo që duhet të bëjmë.
Simon Jenkins
SHBA është e jashtëzakonshme. Një ditë shkon në anën e largët të Hënës dhe ringjall epokën hapësinore. Po atë ditë, presidenti i saj sheh nga ana tjetër e Tokës dhe thotë se do ta kthejë Iranin “në epokën e gurit”. Mund të jetë një hap gjigant për njerëzimin, por në ç’drejtim?
Nuk ka ndonjë qëllim tjetër përveç prestigjit në dërgimin e njerëzve në Hënë, prandaj kanë kaluar më shumë se 50 vjet që nga hera e fundit. Robotët mund të bëjnë gjithçka që na duhet në hapësirë. Kthimi i iranianëve në epokën e gurit është një çështje tjetër. Herën e fundit që SHBA bëri të njëjtën mburrje ishte kundër Vietnamit, në një kërcënim tipik (shpesh i keqcituar) nga gjenerali Curtis LeMay. Vietnami e mposhti SHBA-në në luftën që pasoi.
Lufta me Iranin është bërë e pamundur për t’u kuptuar, sepse është kaq qartazi krijim i një njeriu të vetëm, i shtyrë nga vaniteti personal, që dëshiron ta detyrojë botën të kërcejë sipas melodisë së tij. Atij i bashkohet në kërkimin për çrregullim global një shpirt i ngjashëm, Vladimir Putin. Burra të tillë shpesh i kanë çuar kombet në katastrofa kolektive, por që dy ta bëjnë këtë njëkohësisht është një fatkeqësi e tmerrshme. Prandaj lind nevoja urgjente për të kuptuar se çfarë janë: thjesht dy njerëz me akses në pushtet të jashtëzakonshëm. Ata nuk përfaqësojnë vendet e tyre. Mund të themi vetëm se pa ta, këto luftëra ndoshta nuk do të kishin nisur. Bota duhet të reagojë me realizëm dhe proporcionalitet.
Që Irani ka qenë prej kohësh një forcë destabilizuese në Lindjen e Mesme është e padiskutueshme. Por Trump erdhi në Shtëpinë e Bardhë duke denoncuar ashpër ndërhyrjet e mëparshme të SHBA-së në këtë rajon, të kryera si nga presidentë republikanë, ashtu edhe demokratë. Po të ishte sot në opozitë, ai do ta kritikonte ashpër këtë luftë. Është vetëm joshja e pushtetit ajo që e ka mposhtur, duke e shtyrë drejt një dhune të frikshme.
Ka gjasa që Trump tashmë të pendohet për atë që ka bërë, dhe madje mund të jetë në interes të botës që ta ndihmojë të dalë prej kësaj situate. Ai mund të kërkojë hakmarrje ndaj Benjamin Netanyahut të Izraelit, i cili duket se e ka bindur të hyjë në këtë rrugë. Sido që të jetë, ai duhet të tërhiqet, ashtu si Richard Nixon nga Vietnami – gjë që Barack Obama nuk arriti ta bëjë në Afganistan. Metoda e tij duket të jetë lënia pas e një gjurme kërcënimesh dhe shkatërrimi.
Një ditë pretendon se ka shkatërruar kapacitetin bërthamor të Iranit, një ditë tjetër e përdor atë si arsye për luftë. Një ditë ofron ndihmë për protestuesit iranianë në rrugë, ditën tjetër bombardon po ato rrugë. Një ditë synimi i tij është ndryshimi i regjimit, ditën tjetër thotë se kjo tashmë është arritur.
Po të ishte një përsëritje e rrëmbimit venezuelian të janarit, mund të kishte përfunduar “pastër” me eliminimin e drejtuesve të lartë iranianë. Por në vend të kësaj, po shfaq shenja të një përshkallëzimi klasik ushtarak. Dështimi i çdo faze për të sjellë sukses bëhet prelud për një fazë tjetër edhe më të përgjakshme. Trump, që dikur premtoi se nuk do të vendoste kurrë trupa amerikane në terren, duket se është dehur nga “shock and awe” – madje e quajti “argëtuese” – dhe beson se mund ta shpëtojë reputacionin duke dërguar trupa në tokë.
Në këto rrethana, të gjithë shpresojnë te kufizimet kushtetuese mbi presidencën. Në mandatin e parë të Trumpit, këto kufizime ishin brenda Shtëpisë së Bardhë, të ashtuquajturit “të rriturit” që frenonin momentet e tij më të egra. Por këtë herë ai u sigurua që të mos kishte të tillë, vetëm besnikë dhe servilë. Po diskutohet gjithnjë e më shumë për përdorimin e Amendamentit të 25-të, që lejon shpalljen e presidentit të paaftë për detyrë. Por gjasat janë të vogla.
Është e vështirë të besohet se përshkallëzimi i tij mbështetet nga sekretari i shtetit Marco Rubio apo zëvendëspresidenti JD Vance. Këshilltari i tij i afërt Stephen Miller dhe sekretari i mbrojtjes Pete Hegseth ka më shumë gjasa të jenë “skifterë”. Por deri tani askush nuk duket në gjendje ta ndalë. Ishte pothuajse e pabesueshme që askush nuk e paralajmëroi për rrezikun e kërcënimit për të bombarduar impiantet e desalinizimit të ujit të Iranit. Një kundërpërgjigje iraniane ndaj impianteve në Katar dhe Bahrein do t’i bënte këto shtete të pabanueshme. Një retorikë e tillë është përtej papërgjegjshmërisë.
Sa për kufizimet e supozuara nga Kongresi dhe Gjykata e Lartë, ato kanë qenë pothuajse të paralizuara, dhe bota vetëm mund të shikojë e të presë. Të dyja janë stepur nga ndikimi i Trumpit dhe forca e tij elektorale. Zgjedhjet e ndërmjetme të këtij viti duhet ta ndryshojnë këtë. Ka shumë gjasa që ato të sjellin një shumicë demokrate, duke çuar në veto ndaj “fuqive emergjente” dhe ndoshta edhe në procedura shkarkimi.
Në arenën ndërkombëtare, Trump duket i vendosur të irritojë aleatët e dikurshëm për mungesë mbështetjeje. I fyen pothuajse çdo ditë, rrit tarifat ndaj mallrave të tyre dhe shpall gatishmërinë për të braktisur NATO-n. Askush nuk e di çfarë do të bëjë. Ata bëjnë mirë të fitojnë kohë.
E vetmja siguri në SHBA është Amendamenti i 22-të, që vendos kufij kohorë për presidencën. Koha është mbrojtja më e fortë e demokracisë amerikane. Pas zgjedhjeve të ndërmjetme, mbështetja për Trumpin me siguri do të dobësohet. Kundërshtarët e tij do të forcojnë zërin, jo vetëm në Kongres, por edhe në shtete, industri, universitete dhe media.
Një botë që për një kohë të gjatë është mbështetur në aleanca, besnikëri dhe besim, mund të jetë ndjerë e humbur përballë Amerikës së Trumpit. Fuqitë evropiane kanë bërë mirë që kanë qëndruar në distancë nga lufta me Iranin, ndërsa kanë mbetur besnike ndaj Ukrainës.
Pesimistët thonë se marrëdhëniet SHBA-Evropë nuk do të mbijetojnë. Nuk ka arsye të besohet kjo. Do të duhet një përpjekje e madhe për të riparuar dëmet që Trump i ka shkaktuar reputacionit global të vendit të tij. Por kjo përpjekje do të bëhet, nga kushdo që do ta zëvendësojë.
Pilotët bombardues do të kthehen në anijet e tyre dhe nafta do të rrjedhë sërish përmes ngushticës së Hormuzit. Miqtë e SHBA-së do të punojnë për ta lënë Trumpin në të kaluarën.
Prandaj kishte të drejtë Keir Starmer këtë javë kur kërkoi realizëm në bashkëpunimin e Britanisë me Evropën për sigurinë ekonomike dhe mbrojtjen. Kontinenti duhet të veprojë si një i vetëm dhe të lërë pas kapriçot e Brexit-it. Vetëm kështu mund të dalë diçka e arsyeshme nga kjo kohë e errët.
Përgatiti për botim: L.Veizi
