Politikani Dashamir Shehi komentoi sot gjerësisht mbi zhvillimin e shtetit shqiptar përgjatë tre dekadave të fundit në vend.
Në një intervistë në ‘Euronews Albania’, Shehi u shpreh kritik lidhur me shtetin e ndërtuar pas viteve ’90-të, për shkak të dobësive të mbartura nga diktatura.
Sipas Shehit, Shqipëria është në një gjendje kur nuk qeveriset më nga institucionet, por nga individët, si Rama dhe Berisha.
“Shteti shqiptar nuk është mirë, fatkeqësisht nuk ka qenë ndonjëherë mirë në këto 30 vite. Në ‘92 kishim disi një fillim të mirë të ndërtojmë një shtet tjetër. Koha e tregoi që ai brez kishte fuqi të rrëzonin palën tjetër, diktaturën. Ishim të zotë. Për të ndërtuar pastaj demokracinë, treguam që kishim të gjithë dobësitë tona dhe sot e kësaj ditë shof që çalon shteti shqiptar në shumë gjëra.
Shoqëria shqiptare, politika nuk e kanë dashur shtetin sepse shteti në fakt është një çati ku futen të gjithë duhet ti mbrojë të gjithë, njëkohësisht të vendos dhe disa kufizime dhe këto kufizime shefave të Shqipërisë nuk u kanë pëlqyer ndonjëherë.
Shqipëria është qeverisur nga njerëz jo nga institucione. Ato tentativat që bënte Ahmet Zogu për të ndërtuar disa institucione kishte disa suksese, mbërriti diçka. Enver Hoxha ndërtoi një shtet por një shtet për veten e vet, tani në periudhën tonë, filluam me qejfin që do bëjmë një shtet me drejtësi të pavarur, parlamenti të ketë kontroll mbi qeverinë dhe jo e kundërta dhe dështuam në shumë elementë.
Kulmi i dështimit të Shqipërisë ishte ‘97, ajo kohë tregoi që institucionet nuk ishin të zotë të mbronin veten e vet. Rifilloi nga e para prap me nje Kushtetutë tjetër në ’98, e cila i tregoi të gjitha boshllëqet e veta.
Ne nuk qeverisemi më nga Kushtetutat apo instiutucione të pavarura, praktikisht qeverisemi nga dy njerëz, Rama dhe Berisha”,-tha Shehi./mxh
