Pas plot 10 vitesh mungesë, Blero do të rikthehet sërish përpara publikut shqiptar në Hamburg, duke sjellë një mbrëmje që premton emocione dhe nostalgji. Këngëtari i njohur do të performojë nesër në klubin “Golden Cut”, ku pritet të interpretojë hitet që e kanë shoqëruar gjatë karrierës së tij dhe që vazhdojnë të mbeten të dashura për fansat.
Ky rikthim i shumëpritur vjen si një dëshirë për t’u rilidhur me publikun në diasporë, duke krijuar një atmosferë të veçantë dhe plot energji në një nga qytetet me komunitet të madh shqiptar në Gjermani.
Në këtë mbrëmje, Blero nuk do të jetë i vetëm në skenë. Atij do t’i bashkohet edhe këngëtarja Majlinda Topanica, duke e bërë koncertin edhe më të pasur artistikisht. Dyshja, e cila së fundmi publikoi këngën “Ki me pa”, do ta sjellë për herë të parë live këtë projekt, i cili është pritur mjaft mirë nga publiku.
Ky event pritet të shënojë jo vetëm një rikthim të rëndësishëm për Bleron, por edhe një natë të paharrueshme për të gjithë ata që do të jenë të pranishëm./mxh
