Last Updated on 04/04/2026 by Anisa
Dita e shtunë pritet të karakterizohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme në vendin tonë.
Sipas parashikimeve nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, moti do të shoqërohet me alternime kthjellimesh dhe vranësira, të cilat hera-herës do të jenë deri të dendura.
Reshje të dobëta shiu parashikohen të shfaqen nga mesdita deri në orët e pasdites, kryesisht në zonat malore të lindjes dhe jugut të vendit. Në mbrëmje, reshjet do të ndërpriten në të gjithë territorin.
Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare rreth 9 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të arrijë deri në 18 m/s.
Sa i përket kushteve detare, valëzimi në detin Adriatik dhe Jon do të jetë i forcës 3-4 ballë.
