Avokati Fran Dashi ka komentuar kërkesëpadinë që Erion Veliaj i është drejtuar Gjykatës Administrative, duke theksuar se në këtë proces duhet të përfshihet si palë edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).
Sipas Dashit, KLP është i vetmi institucion ligjor që ka kompetencën për emërimin, shkarkimin dhe transferimin e prokurorëve, ndaj përfshirja e tij në proces është e domosdoshme për një shqyrtim të plotë dhe të drejtë të çështjes.
Duke iu referuar konkretisht rastit të prokurorit Ols Dado, Dashi shpjegoi procedurat ligjore që kanë qenë në fuqi në kohën e emërimit të tij në vitin 2008, si dhe kushtet që duhej të plotësonte një kandidat për t’u bërë prokuror.
Ai theksoi se, sipas ligjit të asaj kohe, një nga kriteret kryesore ishte përvoja prej 5 vitesh e 1 dite si oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, si dhe përfundimi i studimeve në fakultetin juridik, përveç kritereve të tjera shtesë.
Dashi vijoi më tej duke sqaruar se nëse këto kushte janë përmbushur, atëherë emërimi i prokurorit është i ligjshëm. Në të kundërt, sipas tij, lind nevoja për verifikim nga Gjykata Administrative dhe marrjen e masave përkatëse.
“Për të qenë realist, kërkesëpadia që Veliaj i është drejtuar Gjykatës Administrative, duhet të fusë palë në proces Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sepse KLP është i vetmi instrument ligjor që emëron, shkarkon dhe transferon prokurorë. Nëse do dalim te rasti i prokurorit Ols Dado, që është emëruar me propozim të Prokurores së Përgjithshme dhe me një dekret të Presidentit në vitin 2008, në atë kohë në ligjin mbi organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme, ka qenë një ligj që të emërohesh prokuror duhet të kesh 5 vite e 1 ditë oficer i Policisë Gjyqësore pranë prokurorisë me fakultet juridik të mbaruar.
Nëse plotësoje këtë kusht, atëherë kandidatura duhet të merrte miratimin nga KLP, që kanë qenë në atë kohë 7 anëtarë. Duhet të merrje në atë kohë 4 vota që të kualifikohesh për anëtar, për kandidat për prokuror. Pasi KLP do bënte propozimet, ishte i detyruar për t’i përcjellë një relacion drejtuesit të Prokurorisë së Përgjithshme. Dhe prokurori i përgjithshëm, në bazë të votave që marrin kandidatët në KLP ia përcjell kërkesën Presidentit të Republikës dhe Presidenti bën dekretimin. Pra në 2008 nëse Ols Dado ka pasur 5 vite oficer i Policisë gjyqësore pranë Prokurorisë (jo pranë Policisë), emërimi është i saktë konform rregullave e ligjeve.
Ligjet më vonë ndryshuan me ardhjen e KLP. Kërkojnë magjistratë me shkollë magjistrature për të fituar statusin e magjistratit. Tani nëse këtu i ngelet Gjykatës Administrative për të kërkuar dokumentacionin e plotë, e ka plotësuar kushtin kryesor për të qenë OPGJ i prokurorisë për 5 vite e një ditë, nëse nuk e ka realizuar këtë, por është emëruar pa kaluar 5 vite e një ditë, për mua si jurist, prokurori Dado duhet të japë dorëheqjen nga çështja Veliaj, duhet t’i kërkojë me shumë mirëkuptim KLP-së për të marrë një vendim pezullimi, derisa Gjykata Administrative të dalë më një vendim”, tha mes të tjerash Dashi.
Në përfundim, avokati nënvizoi se çështja mbetet në dorën e Gjykatës Administrative, e cila pritet të verifikojë dokumentacionin dhe të vendosë mbi vlefshmërinë e emërimit të prokurorit, duke përcaktuar edhe hapat e mëtejshëm ligjorë në këtë proces.
