Ministria e Jashtme e Rusisë ka zbardhur detaje nga biseda telefonike mes kryediplomatit rus, Sergey Lavrov dhe homologut të tij iranian, Abbas Araghchi. Në qendër të diskutimit ishte nevoja urgjente për de-përshkallëzimin e situatës dhe roli i fuqive të mëdha në këtë proces.
Gjatë bisedës, Lavrov u shpreh se Rusia shpreson që përpjekjet për ndalimin e luftës do të rezultojnë të suksesshme. Megjithatë, ai hodhi topin në fushën e SHBA-ve, duke theksuar se Uashingtoni duhet të ndryshojë qasje:
“Shtetet e Bashkuara mund të japin kontributin e tyre duke braktisur gjuhën e ultimatumeve dhe duke e rikthyer situatën në rrugën e negociatave”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë ruse.
Rusia dhe Irani ndajnë shqetësimin se hapat e fundit në arenën ndërkombëtare po dëmtojnë diplomacinë. Sipas njoftimit, të dyja palët bënë thirrje që të shmangen veprimet që provokojnë tensione të mëtejshme, të mos ndërmerren hapa në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që mund të minojnë shanset e mbetura për një zgjidhje politike si dhe të prioritizohet rruga diplomatike për zgjidhjen e krizës përpara se situata të dalë plotësisht jashtë kontrollit.
Ky reagim vjen në një kohë tensionesh të larta, ku Moska dhe Teherani po përpiqen të forcojnë boshtin e tyre përballë presionit perëndimor./mxh
