Last Updated on 07/04/2026 by Anisa
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste , Blendi Klosi, ka zhvilluar një takim në selinë qendrore të PS me kryetarët socialistë të 61 bashkive në vend, në kuadër të turit “Punët për Shqipërinë”.
Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, Klosi bëri të ditur se në qendër të diskutimeve ishte procesi i rienergjizimit të strukturave të partisë, si dhe organizimi i zgjedhjeve në forumet drejtuese. Sipas tij, ky proces synon të forcojë më tej organizimin e brendshëm të PS në të gjithë territorin.
Ai theksoi se përmes këtij angazhimi, strukturat e partisë do të dalin më të konsoliduara dhe të përgatitura për sfidat e ardhshme politike.
“Selia e PS. Me kryetarët e Partisë Socialiste në 61 bashkitë e vendit me fokus rienergjizimin dhe procesin zgjedhor në të gjitha forumet tona drejtuese. Nga ky proces në të gjitha strukturat tona dalim edhe më të fortë, gati për një tjetër fitore bindëse në zgjedhjet vendore të vitit 2027”, u shpreh Klosi.
Ky takim vjen në kuadër të përgatitjeve të hershme të Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ku synohet një tjetër rezultat i fortë në nivel vendor./A.D
